Mbi 330 milionë euro i ka kushtuar deri më tani shqiptarëve autostrada Tiranë-Elbasan, megjithatë, fondet për këtë rrugë nuk mbarojnë me kaq.
Qeveria “Rama” ka deklaruar se tashmë janë siguruar 18.5 milionë dollarë shtesë për pjesën e mbetur të rrugës.
Sipas qeverisë, është siguruar një financimin dhe pritet miratimi shtesë prej 14 milionë dollarësh, që do të bëjë të mundur përfundimin e segmentit të mbetur që lidhet me Elbasanin dhe rruga do të jetë e hapur.
Por problem janë edhe rrëshqitjet, që kërkon një financim shtesë prej 4.5 milionë eurosh nga studimi që është bërë dhe do të duhet të ndërhyhet me buxhetin e shtetit.
Sipas qeverisë, “aty ka mbetur jo më shumë se 2-3 muaj punë”.
Ky fond do të përdoret për vazhdimin e punimeve nga Iba e deri tek tuneli, por fonde të tjera shtese duket se do të kërkojë ndërhyrja për rrëshqitjet masive të tokës në fshatin Mamel.
Prej gati 6 muajsh, pjesa e shembur vazhdon të jetë pengesë për qarkullimin normal të mjeteve ndërkohë që nuk kanë munguar as aksidentet.
Askush nuk ka një përgjigje të saktë se kur do të nisë ndërhyrja në këtë zonë ku shembja ka qenë masive.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dërguar pranë Bankës Botërore, e cila ka mirëmbajtjen e kësaj rruge, projektin për ndërhyrjen, e cila do të përfshijë largimin e masivit shkëmbor dhe disiplinimin e ujerave nëntokësore, të cilat sipas studimit gjeologjik ishin shkak për shembjen.
Por Banka Botërore është skeptike për këtë financim dhe edhe pse kanë kaluar disa muaj ende nuk ka vendosur të marrë përsipër një ndërhyrje të tillë.
Disa zyrtarë të ARRSH-së, përfshirë drejtuesin e këtij institucioni, Dashamir Xhikën, ndodhet në qeli dhe po gjykohen për korrupsion në rrugën Tiranë-Elbasan.
Ashtu si edhe ‘Rruga e Kombit’, autostrada që lidh kryeqytetin me Elbasanit konsiderohet aks strategjik, por në të dyja rastet projektet nuk kanë përfunduar./55news.al/