Një 34-vjeçar nga fshati Kamenicë i Korçës pretendon se është dhunuar nga punonjësit e policisë në ambientet e Komisariatit te Korçës. Sipas “BalkanWeb” Mariglen Muka ka thënë se është shoqëruar në Komisariat si i dyshuar për disa vjedhje, por është dhunuar nga polici që e ka marrë në pyetje, madje ka humbur edhe ndjenjat.
“U paraqita në komisariatin e Korçës, rreth orës 9 te mëngjesit, sepse me telefonoi inspektori i zonës. Mendova se me kërkonin për dokumentet e makinës. Me shoqëruan në një prej zyrave te Komisariatit ku me morën në pyetje për disa vjedhje në fshat dhe kërcënimin nëpërmjet telefonit. Kur mohova akuzat, polici që më mori në pyetje, më fyeu dhe më pas më goditi me grushte dhe shkelma në kokë dhe pjesën e barkut. Nga goditjet, humba ndjenjat. Pasi u përmenda, me çuan në një tjetër zyrë dhe erdhi një mjek më bëri një qetësues, sepse kisha shqetësime. Më lanë të lirë rreth orës 15 dhe familjarët më sollën në spital. Po bëj analizat dhe kontrollet mjekësore. Do bëj denoncim për policin që më dhunoi. Kur u dhunova, prezent ishte edhe inspektori i zonës, por ai nuk më goditi”- thotë Mariglen Muka.
SHCBA ka filluar verifikimet për policin qe dhunoi 34-vjeçarin dhe inspektorin e zonës. Burime konfidenciale nga policia e Korçës bëjnë me dije se dy efektivët kanë mohuar të kenë ushtruar dhunë mbi 34-vjecarin, edhe pse në fytyrën e tij, pasojat e dhunës janë të dukshme.