Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku shkarkoi të mërkurën nga detyra kreun e Prokurorisë për Krimet e Rënda Besim Hajdarmataj, për ta zëvendësuar me Donika Prelën, me objektiv zyrtar përmirësimin e punës.
Në një njoftim për shtyp, Marku shkroi: “Kemi besim se ky ndryshim në drejtim do të sjellë si rezultat ndjekje penale më të shpejtë dhe më të efektshme të çështjeve me përparësi të lartë”.
Pyetur nga BIRN, Hajdarmataj tha se nuk kishte ndonjë informacion më konkret mbi shkaqet e shkarkimit, por theksoi se çështja më e rëndësishme që kishte deri para shkarkimit në duar ishte ajo e ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Sipas Hajdarmatajt, shkarkimi nga posti i kreut të prokurorisë nuk sjell automatikisht heqjen e dosjes së Tahirit nga përgjegjësia e tij.
“Motivacioni nuk ishte shumë i qartë por besoj se kishte të bënte me dhënien e një hovi të ri apo impulsi më të madh të punës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ishte një urdhër që më shkarkonte mua nga ana e drejtimit të prokurorisë së Krimeve të Rënda, dhe në zbatim të tij, tani i bie që unë jam një prokuror i thjeshtë në këtë prokurori,” tha Hajdarmataj.
Pyetur se me çfarë mund të lidhet shkarkimi i tij në këtë kohë, Hajdarmataj tha:
“Unë nuk di të them se me çfarë ka lidhje ky shkarkim por mund t’ju them se e vetmja dosje që unë jam përfshirë drejtë për së drejti, nga një sërë hetimesh që tashmë janë të hapura nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, është ajo e dosjes ish-ministrit të Brendshëm, Sajmiri Tahiri.
Unë tani jam prokurori i thjeshtë dhe normalisht do të vazhdoj punën time me dosjet për të cilat jam i ngarkuar të hetoj, deri në momentin që mund të ketë ndonjë urdhër tjetër për transferimin apo komandimin tim në ndonjë institucion tjetër,” shtoi ai.
Hajdarmataj dhe dy prokurorë të tjerë dorëzuan tetorin e kaluar në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për autorizimin e arrestimit të ish-ministrit Saimir Tahiri, i akuzuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike. Tahiri mohon akuzat. Kjo ishte kërkesa e parë e këtij lloji nga prokuroria për arrestimin e një deputeti jashtë kushteve të flagrancës. Hajdarmataj ka mbajtur postin e kreut të prokurorisë për krimet e rënda që nga viti 2016 ndërsa më parë ka punuar si prokuror në Tropojë dhe në Durrës.
Gjatë shqyrtimit të kërkesës në Kuvendin e Shqipërisë, maxhoranca socialiste sulmoi prokurorët si të motivuar politikisht dhe aluduan se ata nuk kishin prova për të justifikuar arrestimin. Vetë kryeministri Edi Rama kreu një batërdi fyerjesh gjatë një mbledhjeje të grupit të vet parlamentar ku shpalli edhe votën kundër kërkesës së prokurorisë.
Duke abuzuar verbalisht në mënyrë të përsëritur ndaj Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Rama përdori togfjalësha të tillë si: “fronti i çorbës së vjetër”, “paraqitje komike”, “gjyq farsë i inskenuar nga amatorë inatçinj”, “kopje surrogato e gjyqit politik” dhe “zgafella injorance institucionale”, ndërkohë që në mënyrë të përsëritur u rrek të theksonte se nuk dëshironte të jepte përgjigje për pyetjen “a është i pafajshëm Saimir Tahiri”. Ndryshe nga atëhere, Rama gjatë javëve të fundit ka theksuar në shumë raste se kundër Tahirit “nuk ka prova”. Saimir Tahiri dha dorëheqjen si deputet javën e kaluar duke humbur për rrjedhojë edhe imunitetin parlamentar. Pavarësisht kësaj, Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka lëvizur për arrestimin e tij.
Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku u zgjodh dhjetorin e kaluar me votat e maxhorancës socialiste në Kuvendin e Shqipërisë ndërkohë që opozita protestoi ashpër duke e cilësuar zgjedhjen e Markut si një kapje të postit të kryeprokurorit nga ana e shumicës socialiste. Marku konsiderohet “e Përkohshme” deri në krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, të cilat do të duhet të emërojnë një prokuror të përgjithshëm si dhe krerët e prokurorive të rretheve. Procesi i krijimit të institucioneve të reja të drejtësisë ka qenë i ngadaltë për shkak të bllokazheve politike dhe ngadalësisë së procesit të vetingut të kandidatëve për anëtarë të këtyre institucioneve.