Është arrestuar nga policia italiane një shqiptar, të cilit i është gjëtur një sasi e konsiderueshme droge, e cila mendohet të jetë për qëllim trafikimi.
Personi i vënë në pranga, sipas mediave italiane është 46 vjeç, por identiteti i tij nuk bëhet i ditur.
Një patrullë e policisë rrugore të Modena-s, gjatë një patrullimi rutinë, në autostradën A1, ka vënë re një makinë tip “Fiat Bravo”, e pa regjistruar së fundmi në autoritet përkatëse dhe në kushte të përgjithshme, të këqija.
Agjentët, rrjedhimisht, vazhduan kontrollin e automjetit për të verifikuar rregullsinë e qarkullimit. Ata zbuluan se ndaj mjetit kishte një urdhër-bllokimi për arsye tatimore, lëshuar nga “Equitalia” në vitin 2016.
Gjatë fazës së inspektimit të veturës, në një hapësirë poshtë vendit të gomës rezervë u gjet një çantë brenda së cilës kishte një sasi prej rreth 1 kg kokainë e pastër. Droga, nëse shitej në rrugë, vlerësohet se do të gjeneronte rreth 200.000 euro.
Shqiptari, me precedentë të mëparshëm penale, u dërgua në burg, në dispozicion të autoriteteve gjyqësore.