Menaxhimi i bregdetit,  kreu i Shoqatës së Hoteleri – Turizmit Zak Topuzi: Sërish probleme, bashkitë, dobët

Diel, 13 May 2018 18:10

Bregdeti shqiptar do të jetë edhe këtë vit peng i menaxhimit problematik të njësive vendore që pas reformës territoriale dhe zgjerimit të përgjegjësive nuk po arrijnë të pozicionohen siç duhet. Zak Topuzi nga Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit shprehet se pushteti vendor nuk po mundet të mbledhë taksat dhe t’u japë shërbimet e nevojshme territoreve që ka në menaxhim.

Lidhur me turizmin në përgjithësi, ai pohon se, edhe këtë vit, do të ecim spontanisht pa një vizion që ka vite që nuk i jepet sektorit. Topuzi nënvizon se sektorit i mungon një frymë favorizuese ndaj zhvillimit të qëndrueshëm, pasi vazhdon të vuajë problemet e pronësisë mbi tokën, zhvillimin kaotik dhe pa standarde të strukturave akomoduse, subvencionet dhe politika fiskale stimuluese.
Si paraqitet situata këtë vit në raport me vitet e tjera. A është gati Shqipëria që të presë turistët në këtë sezon të ri?
Shqipëria është e vonuar në trajtimin e industrisë turistike si promotor të zhvillimit të vendit dhe nuk po mundet të shfrytëzojë pozicionin strategjik të saj. Kjo për arsye të politikave të gabuara gjatë 27 viteve por dhe përdorimit politik të turizmit. Gjithmonë e ka quajtur “prioritet”, por vetëm me fjalë.
Vazhdon të ketë rritje konstante prej rreth 15% në vit të turistëve dhe sigurisht është një lajm i mirë, por ky është një trend rritje europian, si rezultat i përmirësimit të klimës politike dhe kthimit të turizmit gjithnjë e më shumë si mënyrë jetese. Europa po thith gjithnjë e më shumë turistë dhe e ka kthyer turizmin në një lëvizje 365 ditë në vit.
Anglia raportoi që të ardhurat për vitin 2017 nga turizmi kanë arritur të kalojnë 2,5 herë atë të prodhimit të makinave dhe po kalon në vëmendjen kryesore të qeverisë. Greqia po përfiton ndjeshëm nga rritja e interesit për këtë rajon. Vitet e fundit, ka dyfishuar numrin e turistëve dhe të ardhurave (nga 14 milionë turistë në vitin 2009 arriti në 30 milionë në vitin 2017).
Cilat janë disa nga aspektet që mund të konsiderohen problematike dhe që i gjejmë të pakorrigjuara edhe këtë vit nisur nga infrastruktura, pastrimi i plazheve, menaxhimi i ujërave, menaxhimi i mbetjeve?
Shqipëria ka numër të kufizuar të kapaciteteve akomoduese, rreth 67.000 shtretër. Është një shifër e ulët krahasuar me resurset që ofron dhe tregun rajonal. I mungojnë shërbimet për target grupin që shpenzon për turizmin e rërës së detit dhe janë të kufizuara vetëm në disa hotele.
I mungon një frymë favorizuese ndaj zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit, pasi vazhdon të vuajë problemet e pronësisë mbi tokën, zhvillimin kaotik dhe pa standarde të strukturave akomoduese, subvencionet dhe politika fiskale stimuluese, por më e rëndësishmja, mungesa e një vizioni të qartë (mungon Strategjia dhe Masterplani Përgjithshëm i Zhvillimit të Turizmit).
Qeveria, përmes lëvizjeve të fundit ligjore, kërkon të nxisë turizmin elitar, por nuk po ndal tendencën e ndërtimeve të strukturave turistike për t’i shërbyer sektorit imobiliar. Sot, pika më e dobët është mungesa e investimeve të huaja në këtë sektor të rëndësishëm.
Si rezultat i situatës favorizuese politike, tregu ballkanik po kthehet në Brand. Kam një vlerësim pozitiv të numrit të turistëve që po vijnë në Shqipëri këtë sezon dhe shpresojmë të ruhet i njëjti trend i vitit të kaluar.
Si e shihni angazhimin e pushtetit lokal në këtë aspekt dhe koordinimin me atë qendror?
Infrastruktura rrugore ka përmirësime të dukshme, duke tejkaluar një sërë vendesh të rajonit, por pavarësisht vëmendjes së shtuar të qeverisë, ndaj pastrimit të ambientit, Shqipëria do vazhdojë të vuajë dhe këtë vit, në sezon, mungesën e ujit të pijshëm 24 orë, menaxhimin e plazheve/tension të ulët/trajtimin e ujërave të ndotura, mungesën e një transporti publik të standardeve dhe kthimin çdo vit, në një kantier ndërtimi në sezonin pik. Duhet të jetë viti i fundit që këto probleme duhen artikuluar.
Pushteti lokal ende nuk po luan rolin e tij si menaxhues i resurseve që janë pronë e tij. Nuk po mundet të mbledhë taksat dhe t’u japë shërbimet e nevojshme territoreve që ka në menaxhim. Besoj dhe sivjet do të vazhdojë të jetë problem menaxhimi i bregdetit.
Edhe këtë vit jemi me struktura të paklasifikuara, pavarësisht se kuadri ligjor është miratuar prek kohësh, si ndikon ky faktor në tërësi?
Mungesa e klasifikimit me yje e njësive akomoduese ka krijuar një treg agresiv, në të shumtën e rasteve, paguan më shumë në raport me cilësinë e shërbimit që merr. Për këtë arsye Ministria përgjegjëse për Turizmin plotësoi aktet nënligjore të Ligjit të Turizmit, por ende nuk ka filluar aplikimi.
Ulja e TVSH po stimulon rritjen e kapaciteteve akomoduese, kryesisht të resorteve e hoteleve me kapacitete të mesëm e të madh. Rritja e kapaciteteve akomoduese, zgjerimi i fashove të shërbimit për çdo kategori pushuesish do të krijojë mundësi të paguhet më pak për të njëjtin shërbim.
Vendet e rajonit, ku synohet edhe konkurrenca reale janë agresive në mbështetjet e drejtpërdrejta dhe indirekte për turizmin, ato kanë histori të suksesshme, kanë traditë dhe përvojë më të gjatë, kanë infrastrukturë më të mirë dhe investime private vendase dhe të huaja më cilësore.
Ne jemi ende larg trajtimit të turizmit si industri prioritare, si e vetmja zgjidhje për rritjen e të ardhurave dhe punësimit. Monitor

Modifikuar më Diel, 13 May 2018 18:14
Login to post comments