Të ardhurat në buxhetin e shtetit nga taksat mbi mallrat e konsumit u rritën për tremujorin e parë të këtij viti në mbi 9.68 miliardë lekë.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave raportoi një rritje të akcizës, veçanërisht në muajt Janar dhe Shkurt 2018.
Ndër 4 grupet kryesore të mallrave të akcizës, vihet re një rritje e konsiderueshme e importeve dhe rrjedhimisht konsumit.
Sasia e birrës së importuar arriti një nivel rekord prej 6.5 milionë litrash, një rritje prej gati 1 milion litrash krahasuar me një vit më parë. Me afrimin e stinës së verës dhe sezonit turistik, pritet që konsumi të rritet edhe më tepër, raporton “scan”.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për konsumin e karburanteve, i cili arriti një volum prej 114 mijë tonësh, duke tejkaluar edhe rekordin e vitit 2016 kur regjistroheshin 109 mijë ton karburante si naftë apo benzinë.
Ndërkohë, rritja e nivelit të akcizës së cigareve në fillim të këtij viti nuk ka ndikuar në uljen e kërkesës së tregut. Për tremujorin, kompanitë shqiptare importuan 668 ton cigare, një rritje e konsiderueshme prej 11% krahasuar me vitin paraardhës. Në rritje të lehtë regjistrohet edhe sasia e kafesë e importuar, në 2019 ton.
Karburantet dhe cigaret mbajnë edhe vendet e para në renditjen e të ardhurave të doganave sipas mallrave kryesore. Karburantet përbëjnë 23.4% të të ardhurave, për një total prej 8.4 miliardë lekësh, ndjekur nga cigaret me 4.9 miliardë lekë për 13.6% të të ardhurave.