Detaje të reja dalin në dritë nga veprimtaria kriminale e grupit që u godit sot, i cili merrej me falsifikim vizash. Është ekzekutuar urdhëri i arrestimit për 14 persona.
Ndonëse grupi u godit përgjatë ditës së sotme, hetimet kishin nisur 1 vit e gjysmë më herë, ndërsa prokuror i çështjes është Vladimir Mara. Grupi bazën e kishte në zonën e Kodrës së Diellit, ndërsa dispononte edhe dy laboratorë për falsifikimin e dokumenteve, merrte 5 mijë deri në 20 mijë euro për sigurimin e vizave. Mes të tjerash grupi pajiste me pasaporta false për 4 shtete, SHBA, Kanada, Britani dhe Itali. Pjesa dërrmuese e qytetarëve pajiseshin kryesisht me pasaporta italiane.
Pavarësisht se çështja ishte nën hetim, policia ndërhyri sot pasi një qytetar tentoi të largohej me pasaportë italiane të falsifikuar, duke bërë që të ndërhyhej në flagrancë. Burime zyrtare theksojnë se muajt e fundit 4 persona janë pajisur me dokumente false për Suedi dhe Norvegji. Kujtojmë se mes personave të arrestuar është edhe një punonjës policie.