Evropianët do të përpiqen të krijojnë një marrëdhënie të re me vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë një samiti të enjten, në 17 maj në Bullgari, por që rrezikon të kalojë nën hije nga debatet mbi sfidat diplomatike në BE dhe presidentit amerikan, Donald Trump.
Takimi i liderëve evropianë me homologët e tyre nga gjashtë vende: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova ka si qëllim krijimin e lidhjeve të ngushta me rajonin, ku Rusia është duke u përpjekur për të zgjeruar ndikimin e saj.
Por fillimisht vendet anëtare do të diskutojnë mes tyre, të mërkurën mbrëma në 16 maj në Sofje, për vendimin e SHBA për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin si dhe vendosja e tarifave të reja ndaj importeve të aluminit dhe çelikut nga Bashkimi Europian.
Ndërsa përkeqësimi i marrëdhënieve transatlantike është shqetësuese, e ardhmja e asaj me Ballkanin është gjithashtu vendimtare për kontinentin e vjetër.
“Ballkani ka nevojë në mënyrë dramatike për një perspektivë evropiane, përndryshe ne do të shikojmë të gjitha problemet që kemi përjetuar gjatë 90-së, flas për luftërat e përgjakshme në rajon” paralajmëroi të premten, në 11 maj Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.
Brukseli tani propozon që shtetet anëtare të bien dakord të hapin zyrtarisht negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, për të shpërbluar përparimin e tyre në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Nga ana tjetër, opinionet e Komisionit për Bosnjë-Hercegovinën dhe veçanërisht Kosovën janë më pak pozitive. Në veçanti, BE është e shqetësuar për pengesat e vazhdueshme në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Çështja e Kosovës është veçanërisht e ndërlikuar. Pesë nga vendet anëtare të BE, (Spanja, Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania) nuk e njohin pavarësinë.
Më në përgjithësi, disa vende, përfshirë Francën, refuzojnë të pranojnë shumë shpejt hyrjet e reja në BE nga vendet e Ballkanit.
Në projekt-konkluzionet e samitit, siç mëson AFP, shkruhet se shtetet anëtare të BE-së ritheksojnë për “mbështetje të qartë të perspektivës evropiane” për vendet e Ballkanit, por ata me kujdes kanë shmangur përdorimin e fjalëve “anëtarësim” ose “zgjerim“.
Teksti thekson nevojën për përmirësimin e “lidhjes” përmes investimeve në infrastrukturën e transportit në veçanti, arsim dhe shkëmbimeve kulturore duke forcuar lidhjet për përballimin e “sfidave të përbashkëta” të tilla si “siguria dhe emigrimi”./GSH