Karabinierët italianë kanë shkatërruar një bandë shqiptarësh që grabisnin banesa e vila në Ankona të Italisë.
Tre prej të arrestuarve akuzohen se kanë bërë 15 grabitje brenda një muaji në këtë qytet.
Kapo i bandës ishte 25-vjeçari Jetmir Çili, i cili u arrestua bashkë me Dorjan dhe Kenado Pjetrin, 26 dhe 22 vjeç. Mediat italiane raportojnë se nga grabitjet, shqiptarët kanë fituar rreth 70 mijë euro.
Treshja në fakt ishte arrestuar më 10 shkurt nga policia në Osimo, për një vjedhje në Loreto. Ata u kapën në flagrancë duke u larguar nga banesa e një 47-vjeçari.
Ajo që theksohet ishte se tre të rinjtë ishin atletë të vërtetë pasi arrinin të ngjiteshin me duar deri në katet e treta ose të katërta të ndërtesave duke u mbështetur tek telat elektrike. Prandaj, operacioni mori emrin “Alpinistët”.
Ata vepronin pas orës 19:00, ku udhëtonin nga San Benedetto në Osimo dhe qytete fqinje pranë kabinave të autostradave.