Shqipëria është një ndër 4 vendet e mbetura në garë për të strehuar njësinë e bombardimit të tumoreve të CERN, që është Organizata Europiane për Kërkimin Bërthamor. Investimi në fjalë kap vlerën e 100 milionë eurove.
Veç Shqipërisë, në garë kanë mbetur edhe Bullgaria, Rumania dhe Mali i Zi. Greqia është tërhequr nga kandidatura bëjnë me dijë mediat greke, ndërkohë që ekspertët vendas kanë mbetur të çuditur nga kjo tërheqje që nuk ka asnjë shpjegim logjik.
Ky vendim ka ngjallur mjaft debat mes ekspertëve te fqinjët. Katër vendet e mbetura ndërkohë, me refuzimin e Greqisë, që ishte kandidatura më e mundshme, janë hedhur në “sulm” për të fituar të drejtën në instalimin e kësaj njësie.
Kjo gjë do të shërbente jo vetëm nga ana mjekësore, por edhe do të sillte përfitime të mëdha për vendin, duke e bërë tërheqës jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Vendi që do të fitojë të drejtën për të instaluar pajisjen do angazhohet t`i shërbejë edhe vendeve të tjera të rajonit, Turqisë dhe Afrikës së Veriut.
Pjesa më e madhe e investimit duket se do të vijë nga paratë e Brukselit për Ballkanin Perëndimor. Iniciativa do të jetë ndërkombëtare dhe ka për synim edhe që të nxisë bashkëpunimin mes shkencëtarëve në rajonin e Europës jug-lindore.