Në qershor, Policia e Shtetit dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të nisin një aksion në terren për identifikimin e të gjitha automjeteve të pasiguruara. Lajmi u bë i ditur nga Ervin Koci, kryetar i AMF-së gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Sipas Kocit, aktualisht rezultojnë rreth 16.000 mijë automjete të paidentifikuara.
“Numri i mjeteve të pasiguruara vazhdon të jetë i njëjtë dhe numri i mjeteve të paidentifikuara që shkaktojnë dëme vazhdon të jetë i madh.Edhe ulja e mjeteve të pasiguruara sigurisht që është në fokus të punës tonë të përditshme. Për këtë kemi marrë masa që të vendosim në funksion ato marrveshje që nuk kanë qenë zbatuar më përpara mes Policisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Transportiti rrugor.
Gjatë 2017 kemi pasur komunikime të vazhdueshme me Ministrinë e Transporteve dhe Policinë e Shtetit për të marrë të dhënat dhe nga kompania që kolaudon makinat. Që nga muaji shtator 2017, cdo dy javë i nisim informacion Policisë së Shtetit, që lidhen me mjetet e transportit që nuk kanë sigurimin e detyrueshëm të përgjegjësisë ndaj palëve të treta.
Kjo ka dhënë rezultatet e veta, pasi po të shikojmë në vitin 2017, nëqoftëse në Republikën e Shqipërisë numri i mjeteve të regjistruara është 535 mijë, numri i mjeteve që kanë paguar taksën është 447 mijë dhe numri i kontratave TPL rreth 431 mijë. Kjo tregon që nga mjetet e pasiguruara, 19.5% dalin të pasiguruara, ndërsa nga mjetet që kanë paguar taksën e qarkullimit është 3.64%.
Ne kemi zhvilluar një takim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor për të identifikuar 16 mijë mjetet dhe për t’ia kaluar Policisë së Shtetit dhe në muajin qershor kemi plan veprimi të përbashkët për kontrolle midis shoqërisë së sigurimit, Drejtorisë së Policisë dhe Autoritetit”, u shpreh Koci.
Në komision pati diskutime në lidhje me detyrimet që kanë kompanitë për të paguar fondin e kompensimit. Nga 8 kompani, vetëm 5 prej tyre kanë paguar detyrimet dhe për këtë Kryetari i komisionit, Erjon Brace kërkoi që të meren masa për të zgjidhur këtë problem.
Tregu i sigurimeve në vend përballet me një sërë sfidash, ndërkohë që shpesh qytetarët ankohen për ndryshimin e menjëhershëm të tarifave dhe mosshlyerjen e dëmeve në rast të aksidenteve.
Për të ndryshuar situatën në këtë treg, një ditë më parë Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare prezantoi Strategjinë 5 vjecare. Strategjia e detajuar përmban 72 rekomandime, që synojnë jo vetëm të nxisin zhvillimin e një tregu konkurrent dhe efiçent, por edhe të krijojnë njëkohësisht stabilitet afatgjatë dhe mundësi për produkte inovative.