Ndonëse ende nuk ka kaluar një muaj nga aksioni i pastrimit, situata vazhdon të jetë problematike në zonën e Pyllit të Sodës.
Mbetje inerte dhe urbane vazhdojnë të hidhen në çdo cep të këtij pylli.
Prej shumë kohësh, zona e Pyllit të Sodës është një kosh natyror gjigand mbetjesh të njeriut dhe është larg të quajturit “mushkëri” e qytetit të Vlorës.
Aksioni i udhëhequr nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, më 18 prill, siç duket nuk mjafton dhe pastrimi i pyllit, për shkak se mbetjet janë të depozituara prej vitesh, duhet të jetë rrënjësor dhe të ndalohet hedhja e mbetjeve në të ardhmen.
Pra, ajo ishte një zgjidhje sa për tu filmuar në kamera e pastaj askujt nuk i plasi më.
Mbetje inerte apo nga punishtet dhe restorantet e ndryshme që operojnë në Vlorë hidhen pothuaj çdo ditë në pyll.
Ky problem kërkon një zgjidhje, pasi në rrethin e Vlorës, jo vetëm Pylli i Sodës, por edhe zonat rurale të Bashkisë së Vlorës nuk kanë një plan menaxhimi ose një landfill për grumbullimin e tyre.