Më në fund edhe Shiroka do të ketë pamjen e saj të re, të rikonstruktuar. Sot paradite është firmosur marrëveshja për financimin dhe zbatimin e projektit për rikonstruksionin e Sheshit të Shirokës dhe restaurimin e fasadave të Qendrës së Shirokës ndërmjet Bashkisë së Shkodrës dhe FShZh. Marrëveshja e financimit të projektit kap vlerën 358 551 112 lekë pa TVSH, projekt i inicuar nga Bashkia Shkodrës për financimin e punimeve për rikonstruksionin e sheshit dhe fasadave në Shirokë.
Punimet për rikontruksionin e sheshit prej 20 000 m2 parashikojnë punimet e prishjeve, punimet e shtresave dhe veshjeve me gurë e me dru, ndriçim e mobilim urban, gjelbërim e sinjalistikë.
Ndërsa punimet për restaurimin e 2000 m2 fasada në qendër të zonës turistike të Shirokës do të përqendrohen në shtresat përpara ndërtesave, punimet e suvatimit, të ndërtimit të çative me një sipërfaqe prej rreth 1500 m2, të dyerve dhe të dritareve.
Bashkia Shkodër do të vijojë me aplikimin për leje ndërtimi dhe pas dhënies së lejes së punimeve nga Këshilli Kombëtar i Territorit, afati i punimeve parashikohet të jetë 10 muaj.