×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 44

Prokuroria e Krimeve të Rënda luftë mediave. Donika Prela: Këtu s’dua të shoh këmbë gazetari!

Premte, 18 May 2018 17:27

Dy ditët e fundit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore janë vënë nën presion nga drejtuesja e institucionit, Donika Prela për një bezdi, shqetësim, gati një fobi që drejtuesja e prokurorisë ka në lidhje me mediat.

Për t’ia ngulitur mirë në mendje vartësve këtë porosi, drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka bërë një mbledhje me prokurorët dhe një tjetër me oficerët e policisë gjyqësore për dy ditë me radhë.

E rreptë dhe konçize në kërkesën e saj, ajo ka kërkuar të ndërpritet çdo komunikim me gazetarët si brenda ashtu edhe jashtë institucionit dhe në çdo ambjent tjetër, përfshirë edhe kohën jashtë punës. Fillimisht komunikimi u bë me prokurorët dhe një ditë më pas për të njëjtën “çështje” u thirrën oficërët e policisë gjyqësore. Një prej gazetarëve të kronikës tha për Lapsi.al se pas mbledhjes me Donika Prelën, prokurorët dolën kokëulur nga institucioni dhe nuk guxonin as të ngrinin sytë për t’i përshëndetur.

Sepse urdhri është që jo vetëm gazetarët nuk duhet të hyjnë në ambjentet e prokurorisë, por prokurorët as nuk duhet t’i flasin brenda apo jashtë orarit të punës.

“Këtu s’dua të shoh këmbë gazetari, përndryshe do të marr masa” mësohet të ketë qenë me pak fjalë porosia e drejtueses së Krimeve të Rënda, që mendon se në këtë formë do të mbajë larg rrjedhjen e informacionit për disa nga dosjet më të rëndësishme që ka nën hetim.

Pas shkarkimit që iu bë Besim Hajdarmatajt nga detyra, vëmëndja e mediave është përqëndruar në disa dosje “të nxehta” që kanë dorë Krimet e Rënda dhe që prekin direkt qeverinë. Nga më të rëndësishmet mbetet çështja Tahiri. Ishte pikërisht kjo dosje që siç la të kuptohet Besim Hajdarmataj u bë shkak për shkarkimin e tij dhe emërimin e Donika Prelës në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

 
Modifikuar më Premte, 18 May 2018 18:10
Login to post comments