Zhvillimi i etikës në hulumtimet e kërkimet shkencore, detyrë imperative e institucioneve shtetërore

Premte, 18 May 2018 19:15

Prof. Gjokë Uldedaj

 Kam kënaqësinë e veçantë që të përshëndesësh në këtë Simpozium Shkencor në emër të Kolegjit Universitar “Qiriazi”, si bashkorganizatore e këtij aktiviteti.

Simpoziumi i sotëm, në vlerësimin tim ka rëndësi të veçantë, sa për problematikën që trajton, aq dhe për momentin në të cilin realizohet.

Zhvillimi i etikës në hulumtimet e kërkimet shkencore, është detyrë imperative për të gjithë organet shtetërore, sistemin e arsimit, intelektualët e punonjësit shkencorë, por veçanërisht për Institucionet e arsimit të lartë, të cilët kanë për mision të realizojnë në harmoni të dy komponentët, pra procesin mësimor dhe kërkimin shkencor.

Për shkak të vlerave të gjithanshme që mbart, etika trajtohet në aspekte e këndvështrime të ndryshme të cilat kanë lidhje me individin e shoqërinë; me shtetin dhe të drejtën; me moralin, kulturën e politikën; me profesionalizmin e ligjin, e në veçanti me shkencën. Si e tillë ajo jo vetëm është bashkudhëtare e jetës shoqërore; veprimtarisë shtetërore; mësimdhënies dhe veprimtarisë shkencore, por dhe tregon standardet e zhvillimit të tyre.

Me këtë rast më lejoni të shpreh para jush angazhimin e Kolegjit Universitar “Qiriazi”, për të ndërtuar, mbështetur e krijuar hapësirat e nevojshme, duke i mundësuar stafit akademik të zhvillojë cilësisht kërkimin shkencor, për të synuar drejtë parametrave që kanë institucionet homologe perëndimore.

Krijimi i standardeve të Kërkimit Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë dhe në Qendrat Kërkimore është një sfidë e lidhur ngushte më krijimin e strukturave bazë që ndjekin dhe vlerësojnë metodat dhe rolin e etikës në kërkim.

Sot është emergjente që në Institucionet e Arsimit të lartë të flitet më shumë për kërkimin shkencor dhe rolin e etikës në këtë drejtim.

Arsimi i Lartë dhe Institucionet Kërkimore në vendin tone, duhet të ndjekin trendin e shumicës së vendeve të OECD-së, të cilat po ballafaqohen me një rritje të mbështetjes së kërkimit shkencor, nëpërmjet vlerësimit sistematik për optimizmin dhe racionalizimin e fondeve për kërkimin shkencor, që u jepen universiteteve, Akademisë së shkencave apo Instituteve të Kërkimit.

Të nderuar kolegë e pjesëmarrës!. Nëse do të analizojmë raportin që ekziston midis numrit të institucioneve të arsimit të lartë e strukturave të ngritura për kërkime shkencore në vendin tonë dhe numrit të banorëve, do të konstatojmë lehtë se ia kalojmë disa herë edhe vendeve më të zhvilluara si Britania e Madhe, Gjermania, Austria dhe Franca. Në këtë aspekt krahas përmirësimit të kuadrit ligjor në fushën e kërkimit shkencor dhe vendosjes së tij në funksion të nevojave që ka zhvillimi social, ekonomik, teknologjik, kulturor etj, është e nevojshme të ndryshojë politika e mbështetjes me buxhetin e duhur për kërkimin shkencor.

Po të krahasojmë buxhetin e shtetit tonë për arsimin e lartë e kërkimin shkencor që arin në 0.4-0.6% të PBB, me atë të vendeve të rajonit apo vendeve të OECD që arin në 1-3%, rezulton se jemi shume larg, gjë që ndikon edhe në produktin e hulumtimeve, projekteve e kërkimeve shkencore.

Kërkimi shkencor duhet të përcaktohet si baza e arsimit të lartë dhe e edukimit, si motor i inovacionit, i konkurrencës dhe i cilësisë së mësimdhënies.

Është e gjithëpranuar teza, sipas së cilës “nuk mund të ndahet edukimi nga kërkimi shkencor”. Universitetet, edhe te ne, duhet të konsiderohen si institucionet më të përshtatshme për zhvillimin e kërkimit shkencor.

Kjo për dy arsye: a) Lidhjet e drejtpërdrejta të kërkimit shkencor me procesin e mësimit; b) Integrimi i kërkimit me këto institucione, është më afër tregut të punës së cilido tjetër.

Përvoja e gjatë në sistemin universitar dhe në angazhimet e tjera politike e publike më ka mësuar se çdo gjë ngrihet dhe funksionon mbi bazën e parimeve dhe ligjësive të përgjithshme e të veçanta, ku natyrshëm përfshihen edhe parimet, kodet dhe vlerat etike.

Në këtë kuadër etika në kërkim është një çështje shumë komplekse që nis me përzgjedhjen e objektit, subjektit, metodës kërkuese, ruajtjes së të dhënave, ndershmërisë në përpunim, konkluzionet dhe deri në botimin dhe publikimin e Tyre.

Respektimi i normave dhe rregullave gjatë gjithë procesit të kërkimit shkencor paraqet në thelb etikën shkencore.

Zhvillimi i standardeve të arsimit të lartë dhe kontributit të Tij në zhvillimin shoqëror, nëpërmjet forcimit të kërkimit shkencor dhe etikes ne të gjitha aspektet që lidhen me të, mendoj se kërkon:

  1. a) Përmirësim të kuadrit ligjor dhe mekanizmave të zbatimit të tij, me qëllim që të parandalohen shkeljet e etikës nga të gjithë aktorët e sistemit universitar.
  2. b) Përmirësimi i programeve të kërkimit shkencor për thellimin e studimit të etikës në mësimdhënie dhe kërkimin shkencor; evitimin e kopjes dhe plagjiaturës si dhe në botimin e përdorimin e teksteve akademike.
  3. c) Shtimin e buxhetit dhe investimit për studimet e kërkimet në funksion të zhvillimit të nevojave të jetës ekonomike e shoqërore.

Duke përfunduar, iu uruar suksese Këtij Simpoziumi, duke e konsideruar një bashkëpunim të parë të Kolegjit Universitar “Qiriazi” me Akademinë e Shkencave, për të vazhduar me bashkëpunime të tjera të nivelit Institucionale.Faleminderit!

Fjala përshëndetëse e Gjok Uldedajt në simpoziumin Shkencor me temë: "Etika dhe roli i Saj në kërkimin shkencor", organizuar nga Akademia e Shkencave në Bashkëpunim me Kolegjin Universitar "Qiriazi"

Login to post comments