Të mirat e luksit janë produkte që edhe pse nuk janë esenciale, janë shumë të dëshiruara dhe shpesh të lidhura me njerëzit e pasur dhe me pushtet. Disa nga arsyet kryesore që çojnë në blerjet e mallrave të luksit është rritja e vetëvlerësimit dhe vetëbesimit, apo edhe për cilësinë e produktit dhe mënyrën e prodhimit të tij.
Individët që blejnë të mira luksi kategorizohen sipas studimeve më të fundit në: blerës irracionalë; njerëzit me vetëbesim të ulët; të fiksuar pas origjinalitetit; dhe në individë, të cilët edhe pse nuk janë mirë financiarisht, bëjnë blerje luksi për t’u mburrur apo për t’u pranuar në shoqëri.
Ndër produktet që konsiderohen mallra luksi janë edhe orët.
Sipas të dhënave nga Dogana, importet e orëve në Shqipëri u rritën me 71 për qind në 2017-n në krahasim me pesë vite më parë. Zyrtarisht importet shënuan një vlerë prej 3.3 milionë dollarë, nga 1.9 që kishin qenë në 2012-n.
Orët, veçanërisht ato të prodhuara nga kompani me emër, janë një mënyrë e mirë “për t’u dukur” dhe me sa duket, “milionerët e rinj” në qarkullim kanë rritur importet në vend.
Zvicra dhe Kina mbeten partnerët kryesorë ndër vite
Padyshim që kur flasim për orët, vendi i parë që të vjen ndër mend është Zvicra. Shteti europian përpos mirëqenies, është i njohur për markat e njohura të orëve si Rolex, Audemars Piguet, Breitling, Chopard etj.
Në 2017-n, importet nga Zvicra, sipas të dhënave nga Dogana përllogariteshin rreth 1 milion dollarë. Në periudhën kohore 2012-2017, importet e orëve nga Zvicra llogariten të jenë rreth 4.5 milionë dollarë. Ndërsa eksportet e Zvicrës në të gjithë botën në 2016-n shënuan një vlerë prej 19.8 miliardë dollarë.
Vendi me peshë të lartë për sa u përket importeve në vend është Kina. Në dallim prej Zvicrës, Kina është e njohur për imitacionet e markave të famshme të orëve. Të dy vendet së bashku përbëjnë mbi 65% të totalit të importeve.
Nga të dhënat e Doganës importet e orëve nga Kina kapën vlerën e 1.18 milionë dollarë.