Zbardhen përgjimet që çuan pas hekurave 16 persona në operacionin e koduar “272”, operacion që goditi grupin kriminal të trafikimit të emigrantëve ilegalë drejt SHBA-ve, Kanadasë e Britanisë kundrejt pagesës prej 20 mijë eurosh personi.
Nga përgjimet e kryera prej 2016-s, deri në shkurt-mars 2018, rezulton se ky grup kriminal kujdesej që porositë për karta identiteti të vendeve të BE-s, patenta dhe Pasaporta që i porosisnin të interesuarit dhe fotot e tyre të dërgoheshin online me Viber dhe Whatsapp pasi konsiderohishin si të papërgjueshme.
Në pamundësi grupi përdorte linja autobusësh, ndërsa mosha e personave etiketohej si numri i këpucës.
Më 22 nëntor 2017 Gentjan Stojku, një nga ndërmjetësit e këtij grupi shqiptaro-grek rezulton se është telefonuar nga një shtetas që i komunikon se “duhet të mi dërgosh porositë në whatsapp ose Viber, që të shikoj te ato që don se me 99 % i ke si kena folë…”.
Në bisedën e parë të përgjuar dhe renditur si provë nga akuza Gentjan Stojku dhe Alfred Myrtaj janë kapur mat duke përgatitur me lehtësi dokumente italiane sikur shqiptarët që i blenin ishin me origjinë nga Leçe dhe Milano në Itali. Alfred Myrtaj pyet Gentian Stojkun për falsifikimin e një leje qëndrimi në Itali. Në këtë bisedë dy komunikuesit flasin për qytetin që do të shënojnë si vendndodhje të personit që ka porositur dokumentet e falsifikuara.
/shqiptarja.com/