Numri i vizitorëve tek vendvarrimi i Skënderbeut është i lartë. Por territori afron edhe një panoramë tjetër jo të hijshme për një vend historik. Aty për shkak të mungesës së rrethimit njerëzit shkaktojnë ndotje.
Territori është i ndotur. Përgjatë zonës, gjen plehra të hedhura pa kontroll. Vizitorët dhe turistët që tentojnë të hynë pranë mureve antike vërejnë gjendjen. Mungesa e kufizimit të zonës muzeale është shkaku kryesor. Ky është edhe pretendimi që ngre përgjegjësi i Muzeut pranë Bashkisë Lezhë Paulin Zefi.
Ai thotë se heqja e kangjellave në vitin 2014 e ka shtuar problemin që pavarësisht ndërhyrjeve dhe vëmendjes së Bashkisë, kjo situatë është minimizuar, por jo eleminuar.
“Këtu kemi dy banjo që qëndronjë hapur. Janë për turistat, nuk janë banjo publike, edhe pse është vendosur roja është minimizuar ndotja, por nuk është zgjidhur përfundimisht. Në vend që të mahniten nga muret madhështore, shohin ndotjen e mureve”.
Rikthimi i rrethimit do të jetë zgjidhja e vetme thotë përgjegjësi Paulin Zefi, sipas të cilit projekti është gati dhe sipas modeleve të qendrave historike të Francës.
Kjo do të mundësonte edhe rritje të performancës dhe rritje të interesit të vizitorëve e turistëve për të parë nga afër zonën.
“E vetmja zgjidhje mbetet rrethimi i kangjellave metalike,që të orientojmë më thjehst vizitorët. Bëhet fjalë për një rrethim dekorativ. Në vitin e kaluar siguruam donacion privat 14 mijë dollarë kushton i gjithë rrethimi, 1.10 metra i lartë”.
Në qershor, vendvarrimi i Gjergj Kastriotit do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë, por vendorët kërkojnë më tepër vëmendje./abc.news