Pasi gjykata rehatoi në shtëpi Saimir Tahirin, e gjendur nën trysninë e qeverisë "Rama" duket se ajo ka nisur një “fushatë rehatimi” për të gjithë ata që merren me trafikimin e lëndëve narkotike.
Veprën penale të “trafikut të drogës” me porosi të Ramës, gjykatat shqiptare po përpiqen ta justifikojnë si vepra që nuk meritojnë dënim më burg, duke justifikuar kështu edhe masën që u dha për Tahirin ditë më parë, kur gjykata vendosi masën “arrest shtëpie” për Saimir Tahirin, i përfshirë në trafik droge dhe ngushtësisht i lidhur me dosjen “Habilaj”.
Rasti më i freskët është ai i Tepelenës, ku duket se “drejtësia” ka ndjekur të njëjtën mënyrë gjykimi si në rastin Tahiri, “arrest shtëpie” për 3 transportues të kanabisit. Dhe Gjykatës së Shkallës së Parë i është dashur vetëm 30 minuta pas dorëzimit të dosjes, për të marrë vendimin, (kohë që edhe gjykatësit më të mirë nuk do ti mjaftonte as për të lexuar dosjen e dorëzuar nga Prokuroria).
Masa e dhënë ka lënë në arrest shtëpie Aulon Milon dhe Aleksandro Vasilin të dy nga Vlora ndërkohë që ka lënë në burg pa afat personin e tretë të përfshirë në këtë ngjarje, Klerdi Graci.
Ndonëse prokurori i çështjes pati kërkuar për të tre të ndaluarit masën e arrestit burg pa afat, kjo nuk e ka penguar kryesuesin e seancës gjyqësore Pëllemb Vehbiu që të lërë në shtëpi Milon dhe Vasilin.
Neni 230 i Kodit të Procedurës Penale parashikon raste të vecanta kur personi merr masën arrest në shtëpi dhe këto raste janë për gratë shtatzëna, apo dhe persona të moshuar me sëmundje të rëndë fizike.
As Milo dhe as Vasili të dy të rinjtë nga Vlora, nuk hyjnë në këtë kategori, çka të lë hije dyshim vendimi i dhënë nga Vehbiu cili për çudi, organizoi gjyqin për dhënien e masës së arrestit, 30 minuta pasi i kishte ardhur dosja nga prokuroria për dhënien e kësaj mase, ndërkohë që afati maksimal është deri në tre ditë nga dorëzimi i dosjes.
Katër ditë më parë Policia e Tepelenës zbuloi 32 kg kanabis në bordin e një automjeti në aksin Tepelenë-Bënçë nga ku dhe ndaloi tre të rinjtë nga Vlora .