Taksat, keq menaxhimi i tyre, por edhe etja për të “gllabëruar” paratë e shqiptarëve nga pushteti qëndror kanë dhënë “frytet” e para.
Fitimet e biznesit shënuan rënie dyshifrore në tre muajt e parë të vitit, duke sinjalizuar për një situatë të vështirë financiare dhe rënie të shitjeve. Të ardhurat e mbledhura nga Tatimi mbi Fitimin u ulën me 13.4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar duke qenë 15 milionë dollarë më pak.
Më konkretisht nga 111 milionë dollarë Tatim Fitimi që u pagua për tremujorin e parë të vitit të kaluar, këtë vit shifra ra në 96 milionë dollarë.
Të ardhurat që mblidhen nga Tatim Fitimi, reflektojnë direkt fitimet e realizuara nga biznesi. Rënia e të ardhurave në buxhet me 13.4 për qind, dëshmon për rrudhje të fitimeve të biznesit në po të njëjtat përmasa.
Një tjetër tregues që sinjalizon rënien e shitjeve dhe konsumit në ekonomi është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar që mblidhet brenda vendit nga Administrata Tatimore.