Depozituesit dhe eksportuesit janë dy kategoritë që po e pësojnë më shumë nga zhvlerësimi i euros. Sipas përllogaritjeve mbi shifrat e BSH, ekonomia ka humbur deri tani mbi 300 milionë euro.
Rënia e euros në tregun e brendshëm në katër muajt e parë të këtij viti ka qenë e pazakontë. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë nga 133 lekë që konvertohej një euro në tregun valutor të vendit në fillim të muajit shkurt 2018, një muaj më pas në mars 2018 shifra ra në 131.9 lekë për një euro, në prill një euro u këmbye me 129.6 lekë dhe në maj 1 euro u këmbye me 126.9 lekë.Rënia ka qenë e vazhdueshme dhe ka shkaktuar jo pak panik në treg.
Ndonëse është një fenomen që shoqërohet me humbje për disa e me fitime për disa të tjerë, rënia e euros përllogaritet të ketë sjellë dëme të mëdha për eksportuesit, ndërkohë që edhe ata që kanë depozituar para në banka shohin se me kalimin e ditëve edhe llogaritë e tyre pakësohen.
Shifrat e humbjeve janë paraprake pasi tregu nuk paraqitet ende i stabilizuar, në një kohë që zyrtarisht ende nuk dimë së përse po ndodh kjo luhatje kaq e madhe.
Depozitat, humbja mbi 200 milionë euro
Pesha e kursimeve në valutë është rritur vitet e fundit, teksa në dhjetor 2015, për herë të parë kursimet në valutë i kaluan ato në lekë. Por, depozitat në euro e dollarë po vlejnë gjithnjë e më pak në kushtet e zhvlerësimit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit shkurt, depozitat në euro ishin gati 3.7 miliardë euro, që të konvertuara me kursin aktual të këmbimit arrijnë në 476 miliardë lekë. E njëjta sasi depozitash në valutë e konvertuar me kursin mesatar të 2017-s është 495 miliardë lekë. Pra vetëm nga zhvlerësimi, kursimet në euro kanë rënë me 19 miliardë lekë, apo me rreth 150 milionë euro në tre muajt e parë të këtij viti.
Në raport me vitet e mëparshme, kur euro këmbehej në rreth 140 lekë, humbja është më e lartë. Nëse euro do të këmbehej sërish në ato nivele, të njëjtat kursime, të konvertuara në lekë do të vlenin 39 miliardë lekë, ose gati 300 milionë euro më shumë.
Edhe vlera e kursimeve në dollarë ka qenë në rënie, ndonëse më e lehtë për shkak se depozitat në monedhën e gjelbër janë shumë më të ulëta. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të shkurtit të këtij viti, ishin 626 milionë dollarë. Me monedhën e gjelbër që këmbehet aktualisht me 105 lekë, humbja në raport me 2017-n, kur mesatarja e këmbimit ishte 119 lekë, është rreth 8.7 miliardë lekë, ose rreth 67 milionë euro.
Eksportuesit: Humbjet 120 mln euro
Në 2017-n, sipas të dhënave të INSTAT për tregtinë e jashtme llogariten në 272 miliardë lekë. Rreth 80% e volumit janë me vendet e Europës, të cilat përdorin monedhën e përbashkët, apo rreth 218 miliardë lekë. Pjesa tjetër e eksporteve, 54 miliardë lekë, janë kryer në dollarë.
Humbjet për shkak të kursit të këmbimit për eksportet në euro janë rreth 62 milionë euro për shkak të zhvlerësimit të euros dhe 49 milionë euro (apo 61 milionë dollarë) për shkak të zhvlerësimit të dollarit. Duke marrë në konsideratë që në vitin 2018 do të ketë rritje minimale prej 10% të eksporteve (për dy muajt e parë të vitit rritja ka qenë mbi 20%), humbja totale e pritshme për shkak të kursit të këmbimit llogaritet të jetë deri në fund të vitit 120 milionë euro.
Nëse euro dhe dollari do të vijojnë të nënçmohen më tej, siç është e pritshme për muajt e verës, humbjet do të jenë edhe më të mëdha, nëse valutat do forcohen humbja ulet). Për shkak se zhvlerësimi i dollarit ka qenë më i lartë, humbjet prej kursit me të dyja valutat kryesore qenë thuajse në të njëjtin nivel.
2017, humbja e BSH 200 milionë euro
Edhe Banka e Shqipërisë raportoi në vitin 2017 një humbje rekord prej 115 eurosh, që erdhi si rrjedhojë e zhvlerësimit të rezervave të saj në valutë, nga nënçmimi i euros. Banka e Shqipërisë ka raportuar në bilancin e saj vjetor të 2017-s, një humbje totale prej rreth 15 miliardë lekësh, apo gati 115 milionë euro, nga rreth 4 milionë euro që ishte humbja vitin e mëparshëm.
Kjo humbje tepër e lartë ka ardhur tërësisht nga ndryshimet e kursit të këmbimit, teksa si rrjedhojë e nënçmimit të ndjeshëm të euros dhe dollarit ndaj monedhës vendase, Banka e Shqipërisë ka parë një zhvlerësim të rezervave të saj që mban në këto dy monedha. Banka e Shqipërisë kishte në fund të vitit 2017 gati 3 miliardë euro si rezerva valutore, të cilat janë të mjaftueshme për të financuar më shumë se 7 muaj importe.
Flukse të pakontrolluara
Sipas shifrave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, oferta e euros në tregun vendas është rritur me 35 për qind në katër vitet e fundit. Për periudhën janar-prill, nga viti 2014 deri në vitin aktual, në tregun e brendshëm janë këmbyer thuajse 1 miliardë e 780 milionë euro. Kjo do të thotë se në janar-prill të këtij viti, në Shqipëri janë këmbyer 460 milionë euro më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit 2014. Kështu sipas të dhënave zyrtare të BSH në periudhën katërmujore janar-prill 2014 në vend janë këmbyer 1.32 miliard euro, në janar prill 2015 sasia shkon në 1,58 miliardë për të rënë në 1.54 miliardë në janar prill 2016.
Në katër muajt e parë të vitit të kaluar në treg janë këmbyer 1.68 milion euro dhe në katër muajt e parë të këtij viti shifra ka kërcyer në 1.78 miliard euro. Rritja e sasisë së eurove, vlerësohet si shkaku kryesor për zhvlerësimin e shpejtë të monedhës europiane ndaj lekut. Ilir Ciko, ekspert i tregtisë ndërkombëtare thotë se zhvlerësimi i euros ndaj lekut është i lidhur tërësisht me shkaqe të brendshme.
“Nuk ka pasur zhvlerësim të euros në tregjet ndërkombëtare, që të mendonim se po vjen nga jashtë. Ashtu sikurse edhe në vendet e tjera të rajonit nuk ka pasur forcim të monedhave ndaj euros, çka tregon se shkaqet janë të brendshme”,- u shpreh Ilir Ciko. Sipas tij kjo shtesë e euros në treg nuk lidhet me të ardhurat nga turizmi dhe as me investimet e huaja, siç është thënë zyrtarisht.
Shpjegimi zyrtar, zëvendësguvernatorja Gjoni: Rënia e euros fenomen rajonal
Zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, znj. Elisabeta Gjoni, shpjegon arsyet e rënies së euros dhe e përjashton deeuroizimin si një faktor. Gjoni, pohon se arsyet kryesore që kanë ndikuar në këtë tendencë lidhen me përmirësime strukturore në ekonominë shqiptare, si rritja e eksporteve, investimeve të huaja, të ardhurave nga turizmi, rënia e preferencës për të mbajtur aktivet në euro për shkak të normës së ulët të interesit.
Zv.guvernatorja shpjegon se në këtë prirje afatgjatë mbiçmuese të lekut, është e qartë që procesi i deeuroizimit nuk ka patur ndikim. Gjoni pohon se Banka e Shqipërisë nuk influencon apo përpiqet të influencojë, ecurinë e kursit të këmbimit kur kjo lëvizje është në përputhje me fondamentet. Megjithatë, ajo shton se në rast se kursi i këmbimit do të frenojë kthimin e inflacionit në objektiv, përtej parashikimeve, atëherë, “Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të reagojë, nëpërmjet instrumenteve konvencionale në dispozicion dhe në përputhje me regjimin e politikës monetare”.
Sipas zëvendësguvernatores Gjoni, rënia e euros nuk është një fenomen thjeshtë shqiptar, pasi ajo thekson se kjo po ndodh edhe në ekonomitë e tjera të rajonit. “Shqipëria nuk është i vetmi vend që po përballet me mbiçmimin e monedhës kombëtare.
Shumë vende të tjera, në rajon por edhe më gjerë, duke përfshirë edhe ata që nuk kanë ndërmarrë veprime konkrete për (ose që nuk kanë probleme me) deeuroizimin, po përballen me këtë zhvillim. Mund t’ju them që në Mbledhjen e Pranverës së këtij viti me FMN-në, këtyre zhvillimeve iu dedikuan seksione të veçanta diskutimi”,- tha zonja Gjoni.