Arta Marku shkel ligjin, dërgon hetimin e çiftit Gina-Gashi te i preferuari i saj

Hënë, 21 May 2018 18:33

Prokuroria e Durësit shpalli sot moskompetencës për të bërë hetimet për dy prokurorët e shkarkuar nga puna Rovena Gashi dhe Dritan Gina.

Çifti i prokurorëve akuzohet për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë.

Vetë prokurorët kanë pretenduar se dosja e tyre është dërguar për hetim në Durrës, pasi aty është kryeprokurore Anita Jella, mike e afërt e kryeprokurores së përkohshme Arta Marku. Tani çështja e çiftit Gashi-Gina do t’i kalojë për hetime prokurorisë së Fierit.

Por portali lajme.al e ka paralajmëruar kalimin e dosjes Gashi-Gina në Fier që më datën 17 maj.

Në artikullin e lajme.al, shpjegohet gjithashtu se kjo lëvizje është e paligjshme:

“Neni 78 i Kodit të Procedurës Penale parashikon se, në rastet kur merret në cilësinë e të pandehurit një prokuror që punon apo ka punuar në atë prokurori në kohën kur ka ndodhur vepra penale për të cilën akuzohet, atëherë çështja kalon për kompetencë në gjykatën e rrethit më të afërt.

Në rastin konkret, prokurori Dritan Gina ka punuar për një kohë të gjatë në Prokurorinë e Durrësit. Ai, së bashku me bashkëshorten e tij, akuzohen për “Fshehje të pasurisë”, vepër, e cila sipas pretendimeve të Prokurorisë së Durrësit, ka një shtrirje kohore ku përfshihet edhe periudha në të cilën Gina ka ushtruar funksionet si prokuror pranë asaj prokurorie.

Pra, në rastin konkret gjen zbatim neni 78 i Kodit të Procedurës Penale dhe çështja duhet t’i kalojë për kompetencë gjykimi gjykatës së rrethit më të afërt, Kavajës ose Krujës. Por, Kryeprokurorja e Përkohshshme, Arta Marku, duket se ka probleme të theksuara me orientimin në hartën e Shqipërisë.

Ajo ka caktuar si gjykatën më të afërt me Durrësin, atë të Fierit. Pra, Kryeprokurorja e Përkohshme ka kaluar Krujën, Kavajën, Lushnjen dhe ka arritur në Fier, ku ka caktuar që të gjykohen bashkëshortët Gashi-Gina.

Në fakt, zgjedhja, tërësisht në kundërshtim me ligjin, nuk është aspak rastësore. Prokuroria e Fierit drejtohet nga Fatmir Lushi, një prej të përzgjedhurve të Arta Markut që në ditët e para kur ajo mori detyrën. Lushi ka qenë prokuror i thjeshtë në Prokurorinë e Elbasanit, vartës i Dritan Ginës, deri në kohën kur Arta Marku u caktua si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme.

Sapo mbërriti në zyrën e saj, Marku liroi nga detyra e drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit Dritan Ginën, ndërkoi që emëroi në krye të Prokurorisë së Fierit, Fatmir Lushin. Tashmë që Gina dhe bashkëshortja e tij Gashi kanë marrë cilësinë e të pandehurit nga mikesha e Arta Markut, Donika Prela, Kryeprokurorja ka vendosur që edhe gjykimi ndaj tyre, pavarësisht se në shkelje flagrante të ligjit, të ndiqet nga një tjetër “investim” i saj, kryeprokurori i Fierit, Fatmir Lushi.”

Login to post comments