Në fundjavën që shkoi Velipoja çeli zyrtarisht sezonin e ri turistik. Rruga që të çon drejt plazhit është drejt përfundimit dhe mbaron Brenda pak ditësh. Ndërsa moti i ngrohtë me diell ka sjellë edhe pushuesit e parë të huaj dhe vendas që kanë gjetur pastërtinë e këtij plazhi ranor.
“Jam nga Italia nga rajoni i Toskanës, thotë nëj pushues, kam një javë në Velipojë dhe do rri edhe një javë tjetër. Më pëlqen shumë. Në Itali plazhet janë më të organizuara, por këtu më pëlqen shumë”.
Edhe një turiste nga Tajlanda ka zgjedhur të shijojë ujin e pastër të Velipojës.
“Është hera e parë që vij në Shqipëri, këtu më pëlqen, uji është shumë i ngrohtë dhe rëra është e mrekullueshme”.
Çdokush mund të gjejë vetveten në këtë zonë. Të moshuarit zgjedhin të shijojnë rrezet e diellit, ndërsa të rinjtë lojërat e shumta që ofron plazhi i Velipojës.
Edhe pse shezlonet po vendosen, Bashkia e Shkodrës akoma nuk ka lidhur kontratat me bizneset përfituese. Velipoja është nga zonat turistike më të frekuentuara për turizmin familjar, me pushues që vijnë nga i gjithë vendi dhe me një numër të lartë edhe të pushuesve të huaj.