Autoritetet malazeze thanë një ditë më parë se kanë menduar që të ndërtojnë një gardh me Shqipërinë për të ndalur fluksin e klandestinëve.
Klandestinët nga lindja përshkojnë një fushë për të kaluar kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Për ta është rruga e shpresës që do t’i çojë më tej në Europë. Janë pikërisht zonat e brezit jeshil në afërsi të pikave të kalimit kufitar të Murriqanit dhe Hanit të Hotit, dy pikat më problematike për palën malazeze sa i takon depërtimit të klandestinëve të huaj kryesisht shtetasve sirianë.
Klandestinët hyjnë nga Greqia përmes Korçës dhe Gjirokastrës e më pas dalin nga Shkodra.
Deklaratat ekstreme në vendin fqinjë për ngritjen e një gardhi me gjemba kanë në themel shqetësimin se në Shqipëri nuk i pranojnë klandestinët e kthyer prapa nga Mali i Zi.
Sipas statistikave nga marsi 2013 deri në prill të 2018-ës janë kapur 151 shtetas të huaj kryesisht në tentativë për të kaluar kufirin me Malin e Zi.