Ministria e Shëndetësisë zgjidhi problemin e medikamentit të zemrës për aktorin Luftar Paja, pasi e denoncoi ndërprerjen e tij nëpërmjet Top Channel, por me qindra pacientë të tjerë që vuajnë nga disa sëmundje dhe që janë trajtuar me ksarelto prej dy vitesh u është thënë që nuk mund ta vazhdojnë më.
Me vendimin e qeverisë Rama listës me medikamente të rimbursueshme iu hoq një numër i lartë ilaçesh.
Për disa medikamente të tjera u vendos një moshë e madhe për përfitimin e tyre me rimbursim.
Kufizimet e vendosura nga Fondi i Sigurimeve ka përjashtuar me qindra a mijëra pacientë të cilët prej dy vitesh përfitonin marrjen e medikamenteve me rimbursim.
Mjekët kardiologë kundërshtuan mënyrën e menjëhershme se si është bërë kufizimi i këtij medikamenti për të kaluar në antikogaulante të tjerë që janë më të lirë, askush nuk po merr masa për t’i ardhur në ndihmë këtyre pacientëve.
Mjekët e familjes janë vënë në vështirësi pasi janë ata që përballen me pacientët dhe nga ana tjetër janë në presion nga FSDKSH dhe penalizohen me gjoba në rastet kur u rekomandojnë ksarelton.
Jashtë mikrofonit ata thonë se kjo është një padrejtësi që u bëhet pacientëve, pasi nuk ka ndodhur asnjëherë tjetër që ata të cilët e kanë nisur trajtimin, në një moment të caktuar t’u ndërpritet madje pa respektuar protokollet mjekësore, por thjesht për çështje financiare.