Pas krimit të rëndë në Kamzë, ku gjatë një grabitje mbeti i vrarë Agim Buci dhe u plagos e shoqja, familja e autorit Vladimir Kurti është shpërngulur nga banesa.
“News 24” mëson se familja e Kurtit nuk është pajtuar me atë të Bucit, ndërkohë që nga frika e hakmarrjes ata janë larguar jashtë Shqipërisë.
Pak pas ngjarjes, babai i Vladimirit, Petriti, kërkoi mbrojtje për familjen e tij nga frika e një hakmarrjeje të mundshme, ndërsa i bëri apel policëve: “Merreni e mos ma ktheni më në shtëpi djalin”.
Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën “arrest me burg” për Vladimir Kurtin dhe Rruzhdi Hodën për veprën “vjedhje me pasojë vdekjen”.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi në 25 prill, në rrugën ‘OSBE’ në Kamëz, ku dy persona u futën në supermarketin e çiftit Buci dhe kanë tentuar të grabisin lekët e xhiros.
Por në tentativë për t’i parandaluar, Vladimir Kurti qëlloi me armë në drejtim të gruas dhe më pas të burrit, ku ky i fundit humbi edhe jetën.