Është interesant fakti se ngjarja e përsëritur në Prokurorinë e Durrësit, në lajme cilësohet se dokumentet “nuk janë të klasifikuara”. Është krejt qesharake sepse cenimi i çdo lloj dokumenti përbën vepër penale. Asgjë nuk përligj humbjen apo vjedhjen e çdo dokumenti. Në vendin ku prokuroria duhet të mbrojë ligjshmërinë, vetë ajo ka njëmijë probleme në fushën e dokumenteve. Në çdo prokurori ka male me letër të papërpunuara që me sistemin që kemi, duan shekuj të rregullohen.
Arkivi i Sistemit të Ministrisë së Drejtësisë, deri më tani nuk përfshin në kundërshtim me ligjin e arkivave, dokumentet e prokurorisë dhe Gjykatës së Lartë. Shqipëria kishte probleme në fushën e arkivave, por për pak vite ato janë shumëfishuar në mënyrën më të habitshme. Krijohen autoritete të kota, harxhohet paraja kot së koti, shkelet ligji i arkivave sistematikisht, sulmohej e hiqen nga puna arkivistët, e sigurisht nuk ndërtohet asgjë. Mjafton që Ministria e Drejtësisë të mos harxhojë para për një burg dhe rregullohet financimi për Arkivin e Sistemit të saj.