Nga Ilirian Demiri
Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla na premtoi ne shqiptarëve se do të na përgjigjej për shkaqet që e kishin shtyrë të mblidhte numrat e kartës së identitetit, të e – mailit dhe numrat e celularëve të të gjithë shqiptarëve. Nga veriu në jug. As sot e gjithë ditën sado e vrasim mendjen nuk ia arrijmë të dalim në breg me një zgjidhje efikase.
Kujt i duheshin aq shumë këto të dhëna krejt personale të të gjithë shqiptarëve?. Mirë, numri i telefonit, hajde mirë edhe e – maili, po numri i kartës së identitetit për çfarë i duhet shkollës?. Ndaj justifikimi se, “kësisoj mund të arrihet në një informim në kohë reale i prindërve për ecurinë e fëmijëve të tyre në shkollë” është më shumë se një broçkull pazari. Sepse në radhë të parë, ende nuk janë krijuar kushtet e një komunikimi të tillë në të gjitha zonat e vendit. Aq më keq, kur dihet se rreth 30 për qind e shkollave, ende nuk janë elektrifikuar. Në këto kushte është e kotë të flasim për një informim në kohë reale. Ngritja e malit të justifikimeve nga Ministria e Arsimit tingëllon groteske. Sepse tani që aksioni ka përfunduar, ende vetë prindërit nuk e dinë se për çfarë iu deshën dhe ku u dërguan të dhënat e tyre?. Ndoshta këto të dhëna i janë dashur Ministrisë së Arsimit, të mund të rehabilitohet në sytë e opinionit pas dështimit spektakolar të reformës në arsim. Aq sa tashmë vetë ajo më shumë se ministri Arsimi ngjan në zyrë gjendjeje civile. Është më shumë se e çuditshme që as vetë mësuesit që janë angazhuar në aksionin butaforik të regjistrimit të këtyre të dhënave nuk u është treguar asgjë për aksionin dhe arsyet e kryerjes së tij. Vetë mësuesit tregojnë se, janë të shumtë prindërit që ua kërkonin arsyen se pse po ua regjistrojnë numrin e kartës së identifikimit, apo e – mailin e tyre ? Po nuk dënim si t’u përgjigjeshim. Vetëm së gjetëm bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e tyre. “Prindërit na i dhanë të dhënat thjesht për të na ndihmuar që të mos sorollateshim dhe jo se pjerdhin shumë për urdhrat idioteskë të Ministrisë së Arsimit”, na treguan mësuesit. E gjithë kjo maskaradë që u zhvillua në sy të të gjithë shqiptarëve, ende as sot e gjithë ditën, është një tregues i nivelit idiotesk që ka mbuluar të gjitha strukturat shtetërore të këtij gjysmë shteti me emrin Shqipëri.
Fshehtësia e këtij aksioni, mungesa totale e transparencës ka ngritur në sytë e mësuesve dhe të prindërve të nxënësve një varg pikëpyetjesh. Është tashmë krejt e pabesueshme se, kjo gjë kryhet për të rritur bashkëpunimin me prindërit. Ky bashkëpunim tashmë është mjaft efikas dhe i pranishëm në çdo shkollë. I realizuar nga vetë mësuesit e prindërit. Vetë mësuesit i kanë numrat e telefonit të prindërve të nxënësve. Po është e pakuptueshme se kjo e dhënë, apo të dhënat e tjera çfarë i duhen Ministrisë së Arsimit që tashmë po gëlon nga lloj-lloj budallallëqesh, sa edhe tani që viti shkollor është në të mbyllur, askush nuk e di si do të nisë viti i ardhshëm shkollor?!. Mësuesit sot nuk dinë të bëzajnë. Edhe pse mbi shpinë durojnë lloj-lloj idiotizmash. Ata janë kthyer në skllevër. Bile janë të vetmit skllevër të mbetur në këtë tokë. Ata nuk bëzajnë, po vetëm heshtin pavarësisht se veprimet qesharake në sektorin e arsimit ndjekin njëri-tjetrin. Ata ende nuk e kanë mësuar, bie fjala, se çfarë deshi të tregonte ministria e Arsimit me votimin që iu imponua mësuesve, për performancën e drejtorëve e nëndrejtorëve të shkollave. Një votim që vetëm nxiti e rriti grindjet në mjediset shkollore. Sido të rrjedhin ngjarjet e këtij budallallëku arsimor, i gjithë komuniteti shqiptar është mjaft i shqetësuar me situatën në të cilin ndodhet sektori arsimor. Dhe kjo situatë e rrumpallosur nuk është pasojë e performancës së ulët të mësuesve, apo drejtuesve të shkollave, por e qeverisjes groteske jo vetëm në arsim, por edhe në sektorët e tjerë të vendit. Groteske është kjo çfarë i është kujtuar Ministrisë së Arsimit, në këtë kohë, kur mësuesit kanë nisur të mbyllin dokumentet e mbarimit të vitit shkollor. Apo nuk janë të shumta këto letra?. Sa u duket mësuesve se punojnë vetëm për të plotësuar letra dhe jo për të mësuar brezin e ri. Në këtë derexhe është sot arsimi shqiptar. Kjo e ka bërë shumë groteske thirrjen e Ministres së Arsimit të rinjve për të vijuar arsimin e lartë për mësuesi, ku vendi i punës është më i garantuar. Si ka aq shumë mësues, sa këtë prodhim nuk mund ta përballojë asnjë lloj tregu albanez, jo më sot, po as nesër, kur po shihet qartë se numri i shkollave sa shkon e po bie. Që tani në çdo qark është njoftuar mbyllja e shumë shkollave si rrjedhojë e mungesës së nxënësve. Pavarësisht situatës në të cilin ka rënë arsimi shqiptar, budallallëqet duket haptazi se e kanë mbuluar këtë sektor. Budallallëqe që nuk eliminohen me testime, apo votime groteske, as me aksione idiote si ky i regjistrimit që u krye së fundmi. Një aksion që ka shërbyer këto ditë vetëm për të trembur mësuesit e shkretë se mos largohen nga puna, në kuadrin e mbylljes së shumë shkollave si rrjedhojë e uljes së ndjeshme të nxënësve. Tashmë arsimi është zhytur në një llum nga e ka vështirë të pastrohet. Bile niveli i llumit sa vjen e rritet. Këtë e shohim të gjithë prindër, mësues dhe nxënës. Në gjendjen ku ka rënë arsimi gjithçka të flasësh duket groteske dhe tragjike njëherësh. Vetë mësuesit e vlerësojnë sot arsimin si sektori ku është më lehtë të lahet m…ti me sh…rrë. Sepse sot, arsimi në Shqipëri është kthyer në vrimën e fundit të kavallit.