Presidenti Meta ka dekoruar Kryetarin e Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Sulejman Ef. Rexhep, me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
Gjatë këtij nderimi Kryetari i BFI-së falënderoi presidentin Meta për dhënien e këtij titulli.
Fjala e plotë:
Fjalë rasti e Reisul Ulemasë së BFI në RM, H. Sulejman ef. Rexhepi, me rastin e dekorimit të tij me Titullin “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”
“I nderuar shkëlqësia juaj President i Shqipërisë z. Ilir Meta! Të nderuar klerikë! Shkëlqësi ambasadorë! Të nderuar miq dhe vëllezër!
Në këto momente emocionesh të thella i shpreh mirënjohje, respekt nga zemra, Presidentit të Shqipërise që më akordoi këtë dekoratë të lartë, të lakmueshme, për çdo shqiptar që i thotë nënes nëne, bukës bukë, dritës dritë, nga foshnjëria e tij e deri sa merr frymë.
Vëllezër! Ne, shqiptarët, kudo që ndodhemi, e kemi shpirtin me brenga. Është historia jonë ashtu, është fati ynë, por njerëzit e ndritur të historisë së Kombit tonë, Ata që na shërojnë shpirtin, janë Ata që na japin shpresë, kurajo, guxim.
Në historinë tonë kombëtare, heronjtë e Atdheut tonë të përbashkët, janë të shumtë. Sa yjet në qiell, por Ylli i Karvanit Legjendar është Skënderbeu. Prandaj, kur ai përmendet na kujton se ne kudo që të jemi, çfardo që të jemi, nga detyrat, funksionet, jemi Shqiptarë. Ky, heroi i Atdheut, është një pikë bashkimi për të gjithë, është një pikë kulturimi dhe edukimi për brezat me ndjenjën e detyrës ndaj Atdheut. Libri ynë i Shejtë dhe të gjithë librat udhërrëfyes për rrugën drej Zotit kalojnë nga dera e argjentë e Atdheut, Shqipërisë sonë të përbashkët.
Përpara jush në respekt dhe të kësaj dite të çmuar zotohem: të qëndroj dhe të lartësoj shërbimin e lartë ndaj Zotit dhe Atdheut! Qoftë e bekuar Shqipëria, qendra e të gjithë shqiptarëve në botë, e njëherit qoftë i bekuar populli shqiptar kudo që gjendet dhe ata që e duan paqen, mirëqenien, tolerancën, mirëkuptimin, bashkëjetesën dhe sigurinë absolute të jetojnë si vëllezër në jetën e kësaj bote. Ju falemnderit!”