Bllokimi i më shumë se 53 tonëve mish të kontaminuar ka ngritur jo pak shqetësim te popullsia mbi sigurinë e produkteve ushqimore që konsumojnë çdo ditë.
Kjo është e pesta sasi e identifikuar në më pak se pesë muaj të këtij viti, ndërsa vjet është kapur vetëm 1 e tillë. Bëhet fjalë për mish pule që vjen nga përtej oqeanit dhe sipas burimeve, përdoret nga firmat përpunuese të mishit. Gazeta u interesua në Drejtorinë e Doganave dhe pyeti edhe kreun e AKU-së, lidhur me firmën që kishte porositur ngarkesë, por të dyja këto institucione nuk pranuan të tregonin biznesin, duke e bërë edhe më të pamundur mbrojtjen e qytetarëve.
Kreu i AKU-së, të cilit gazeta i bëri edhe një intervistë për shkak të rritjes së rasteve të zbuluara, pyetjes se cilës kompani i përket sasia e bllokuar, iu shmang. “Në këtë fazë ku ne jemi e kemi menaxhuar riskun 100 për qind. Nuk ka sens të thuhen emra kompanish dhe të përfshihemi në çështje që nuk është e jona, s’na takon. Është një luftë tregtare jo e shëndetshme. Teorikisht mund t’i ndodhë kujtdo. Hap nesër një kompani me 1 mijë lekë në QKR dhe porosit mish, i cili kur vjen këtu…”, tha kreu i AKU-së, Agim Ismaili.
Në fakt, bëhet fjalë për mish me salmonelë, që infekton në masë popullsinë dhe që për fat të keq, sasitë e kapura po rriten. Ja çfarë thotë për gazetën kreu i AKU-së.
AKU ka identifikuar dhe bllokuar jo pak, por 53.1 tonë mish me salmonelë, destinuar për vendin tonë? Si është realizuar ky proces nga AKU?
Kjo ndërhyrje është në vazhdën e një standardi të ri kontrolli. Në 2014-ën, mbi bazën e një njoftimi nga autoritetet e Brazilit është cilësuar riskoz ushqimi që vjen nga shteti i tyre. Ata e bëjnë këtë pasi kanë interesin e tyre që të krijojnë besueshmëri në treg. Për të menaxhuar këtë risk, ka dalë një urdhër ministri, që thotë se ngarkesat e mishit të ardhur nga Brazili duhet të ekzaminohen me analiza shtesë. Në kuadër të saj, ne bëjmë analizat e çdo kontenieri që vjen. Duhet të theksojmë që të mos përhapim panik kot. Brazili është një treg i madh botëror për mishin. Ai është treg real, jo i sajuar për Shqipërinë. Në këtë kuadër kanë vijuar këto analiza shtesë.
Bëhet fjalë për një sasi të konsiderueshme mishi të bllokuar. Si është kjo në raport me një vit më parë?
Vjet është gjetur një rast ngarkesë me mish të kontaminuar, kurse këtë vit janë identifikuar dhe bllokuar pesë raste. Unë nuk mendoj që rreziku ka ardhur duke u shtuar, por varet nga cilësia e kontrollit. Mekanizimi i kontrollit është i njëjtë, por duket të jetë më efikas.
A mund të themi se sasia e bllokuar ishte mall i destinuar posaçërisht për Shqipërinë?
Jo, kjo nuk ka lidhje. Ai është treg botëror. Jemi në proces verifikimi për të parë origjinën, nga ka shëtitur kontenieri me qëllim që nëse krijohen dyshime për veprim të qëllimshëm apo kriminal, sigurisht që do të ketë tjetër qasje. Por në këtë fazë ku ne jemi kemi menaxhuar riskun 100%. Nuk ka sens të themi emra kompanish, pasi përfshihemi në një çështje që nuk është e jona.
Në deklaratë nuk citohej për çfarë lloj mishi bëhej fjalë? Konsumatori besoj se duhet të informohet mbi masat që duhet të marrë…
Është mish pule. Por kjo nuk ka rëndësi. Megjithëse i kemi kushtuar shumë vëmendje çështjes së etiketimit dhe kontrolleve, në supermarkete mund të ketë edhe produkte pa etiketë. Janë shtuar dhe etiketime të reja për produktet me bazë luksi dhe është një proces që po adresohet siç duhet. Kemi shumë progres në këtë pikë, por patjetër që ka produkte të tilla ende në treg. Do t’u sugjeroja konsumatorëve që kurrsesi të mos blejnë pa etiketë dhe pa kupon tatimor. Në rast se çdo mall që blihet është me kupon, është lehtësisht i gjurmueshëm. Kur nuk ka kupon, është e sigurt që është i pasigurt e potencialisht edhe me risk. Vetëm fatura garanton që procesi ka ndodhur siç duhet.
Dëgjojmë prej vitesh “mish Brazili”, që shpesh është ai që shënjestrohet si mish me risk. Ka vende të tjera të ngjashme importi që përbëjnë rrezik për shqiptarët?
Shqipëria importon edhe nga Europa, Amerika Latine e shumë vende të tjera. Brazili është vend ndër më të fuqishmit në botë për eksportimin e mishit. E gjitha është çështje tregtare, çmimi, kërkesë-oferte etj. Unë do të thosha që shkalla e problemit nuk është në atë masë sa ç’është te besimi. Deklaroj me përgjegjësi se çdo kontenier që vjen ekzaminohet. Njerëzit të mos panikosen kot. Nga 178 kontenierë të ekzaminuar kanë dalë pesë problematikë për këtë vit, nga janari në maj.
Sa të sigurt janë konsumatorët mbi atë çka blejnë? A është AKU garanti jonë ushqimor?
Në Shqipëri ka stabilimente prodhimi, njësi tregtimi, flota transporti automjetesh për të garantuar ushqim të sigurt në të gjithë gjeografinë e Shqipërisë. Ndihmë në këtë aspekt japin edhe bizneset, të cilat janë në garë me njëri-tjetrin, me standardet, zgjerimin e klientelës dhe importet. Ata janë të detyruar të jenë korrektë për të mbijetuar në treg. Besojmë që dhe forca e kontrollit ka meritën e saj. Nuk përjashtohet mundë- sia që në treg të ketë edhe produkte e prodhues informalë problematikë, që e ndotin tregun dhe krijojnë edhe pasiguri. Jemi në luftë të përditshme me ta. Përditë ndëshkohen shkelës dhe shohim që ka përmirësime çdo ditë. Ka një qasje pozitive. Jemi mirëkuptuar shumë me opinionin publik e madje edhe me vetë kundravajtësit./Panorama