I dashur kriminel!

Hënë, 28 May 2018 10:23

Nga Behar Gjoka


Fakti që ti je deputet, kryetar bashkie, përveçse njeri i pushtetshëm, të bën njeri shumë të rëndësishëm, të bën VIP, o njësh, o figurë! Kjo është shumë, është vetë ëndrra e njeriut të fortë, e njeriut zog kurve (sipas shkodranëve, shumë i zoti), që ç’i thotë mendja, ia bën dora. I dashur kriminel, legalizimi yt, në ditën për diell, me vulën dhe hyqmin e kryetarit të partisë, djathtas e majtas, përveçse me pushtet dhe të rëndësishëm, të bën të veçantë, modern dhe trendy, ku të mbetet vetëm të ndërrosh kravatat dhe kostumet, për të qenë çdo ditë në pjacë.
I nderuar kriminel, kush më shumë se sa ti e njeh krimin dhe fytyrën e vërtetë të kriminelëve? Askush! Dhe kjo nuk do as mend e as kalem. Se policët e ngratë, kur të ndeshin në udhë (mjafton të ta ndiejnë erën), ikin në drejtim të paditur. Ikin nga frika a se morën urdhër, kjo nuk ka pikë rëndësie. Ti, i shtrenjti im, kriminel i sprovuar, pas kalvarit të gjatë të krimeve dhe heroizmave të kohës moderne, që nuk deshe t’i bëje, e prandaj nuk të kujtohen, tashmë je kthyer në misionar të demokracisë. Për ndokënd është ironike, por kjo është e vërteta e ditëve tona në shekullin e njëzet e një. Pa t’u dridhur qerpiku, çave mes për mes telat me gjemba të ferrit, ngjite, pa t’u epur gjunjët, majat e mprehta të Purgatorit, e tani e meriton që të hysh në Parajsë. Se pushteti është parajsë, e ti e di, se e mësove në udhëtimin makabër të vrasjeve, dhunimeve e përdhunimeve, për të cilat nuk është se je shumë fajtor. Fundja, ata të zunë rrugën, pse kaluan aty, pikërisht kur ti kishe punë të rëndësishme në dorë. E meriton, pra, se e bëre udhën e pastrimit, vra e prit, për të fituar hapësira toke, deti dhe qielli, vetëm e vetëm për të mirën e njerëzimit.
Ngaqë ti, kriminel i dashur, pa ngjyrë, pa formë, je një kameleon që i ke të gjitha ngjyrat e partive, të libidos për sundim dhe lumturi. Ty të ka lezet fjala, se syri nuk ta bën tërr, as kur ndesh në raketa. Të ka lezet, o i uruari kriminel, llafja në parlament, mu në tempullin e demokracisë (Kjo e jona duket si rrumpallë demokratike, ku je i lirë të vrasësh e të presësh sa të duash). Mbase duhet thënë pak ndryshe, në selinë e krimit, që përveç ligjeve, realizon edhe katarsën e kriminelëve. Për shkak të përvojës së fituar, si kriminel i devotshëm, pra, si njohës dhe ekspert i krimit, fillimisht anëtarësohesh në një parti. Si kriminel i ditur dhe me standarde, pastron terrenin nga kriminelët ordinerë, xhepistë dhe brekëgrisur. Fill pasi fiton statusin e kriminelit të partishëm, që i njeh dhe zbaton parimet, pa t’u dridhur dora, pa e zgjatur shumë dhe si i besuari i Cutës, kryetarit të radhës të partisë, vë kandidaturën për një copë drejtori. Dihet që fiton, se je kriminel 24 karatësh, i hurit dhe i litarit, domethënë, nga më të diturit, në fushën e pjekjes në hell të viktimave, pa t’u dridhur leshtë e kresë, lëre më tjetërkund.
Ke parë ti që oreksi vjen duke ngrënë, sepse prakticiteti dhe dija e tepruar në lëmin e rrjepjes së njerëzve dhe të gjësë së gjallë, vetiu të nxjerr në shtegun e kandidimit për kryetar bashkie. Dhe fiton, se ti nuk di të humbësh asnjëherë, si burrë i fortë e trim me fletë. Kjo kohë e artë, dashkapadashka, të shërben për të pastruar territorin, të largosh nga udha e fitoreve lapangjozët e moralit, e nderit të humbur, të ndërgjegjshmit e tredhur në tru, e dijes së padijes, dhe fiu kërcen në karrigen e deputetit.
I shtrenjti im, kriminel me bojna dhe dekorata heroizmi, tani flet si kampion ligjshmërie, gjithnjë në emër të ligjit, të arsyes dhe prosperitetit. Përvoja e vyer, por sidomos se je njeri i fjalës dhe veprës, njeri i aksionit, bën që të të mos zërë vend prapanica, pavarësisht se ka kohë që është madhuar dhe rrumbullakosur, kacafiu hidhesh në kolltukun ministror, se aty ka tenderë, ka fitime. Se, o xhan i vëllait, politika është biznes pa tatime, dhe pa një, pa dy, paratë e thata e hedhin ujin deri në majë të Himalajeve. I dashur kriminel! Ti tani je kudo, në rrugë dhe në zyra, në Parlament dhe në qeveri, në parti dhe në shoqata, në media dhe arte, në bashki dhe universitet. Je, sepse e meriton të jesh, e ke çarë udhën me djersën e kobures, të hurit dhe kamxhikut, e prandaj nuk ka mbetur gjë të tjetër, vetëm të të bekojmë qe je. Ose, më mirë na beko ti, o kriminel i shquar, se pa bekimin tënd nuk ecën demokracia shqiptare përpara. Është koha e supermenëve, që në një ditë gdhihen të pasur, sepse janë kriminelë, janë njerëz të sojmë, me nam e namuz. Prandaj, o kriminel me tuje, kur vret e pret, shan e kërcënon, dhunon e përdhunon, për të mirën e popullit e ke, për të mirën e atdheut që ndrin secilën ditë. Prandaj të mirëkuptojmë dhe lutemi për ty, jetë të gjatë sa malet tona kreshnike, e trup e krahë të forta, për të mundur horrat, pabesuesit e ndyrë, që kanë mbetur si peshku në zallin pa ujë, për të ndriçuar ata që nuk duan të shohin dritën që ka sjellë krimi ndër ne.
I nderuar kriminel, vërtet, punët e politikës janë bërë lesh arapi, e Shqipëria gjendet në zgrip, ti vrej punën, gjithçka rregullohet. Ku vajti dhe mu kujtua barsoleta me hajdutin, tani që do ta mbyllja llafen:
- Baba, zura një hajdut.
- Sille këtu!
- Nuk vjen, o ba.
- Lëshoje!
- Nuk më lëshon ai mua.
Me krimin dhe kriminelin është shumë më ndryshe, asgjë nuk sheh dhe nuk kupton, ikën në botën tjetër, me vizionin e së nesërmes. Ardhmëria vlen, ndonëse të lë pa të sotmen, ngujuar në burgun e vetvetes. Për sa kohë individi gjëllon në burgun e vetvetes, dhe në rrethin e shoqërisë, pa të cilën nuk ka gjasa të jetë njeri, pra, në burgun e madh, prej të cilit nuk shpëton askush, liria është një ëndërr mashtruese.//

Login to post comments