Portali i lajmeve 55news.al ka siguruar pamjet filmike të aksidentit dhe djegies së automjetit të 24- vjeçarit Klodian Korançe, i cili gjeti vdekjen në rrugën nacionale pranë Ish- Kombinatit Metalurgjik në Elbasan.
Pamjet që po shihni tregojnë qartë se automjeti “Mercedez- Benz” përplaset me murin e servisit në anë të rrugës.
Sipas videos që disponon 55news.al, aksidenti ka ndodhur në orën 01:41 minuta, pas mesnate.
Automjeti i 24-vjeçarit Klodian Korançe doli nga rruga dhe u përplas me murin rrethues të këtij servisi makinash. Viktima nuk ka pasur mundësi shpëtimi. Nga veprimet e para të policisë rrugore, dyshohet si shkak i aksidentit të jetë bërë dalja nga rruga e mjetit nga pagjumësia apo shpejtësia. Sipas policisë mjeti ka rënë në flakë menjëherë pas përplasjes. Ende nuk dihet shkaku i djegies, por dyshimet e policisë janë se makina ka marrë flakë për shkak të rrjedhjes së gazit, të cilin makina e përdorte si lëndë djegëse.
Nga përplasja e makinës me murin rrethues dhe më pas në oborrin e servisit, është djegur pjesërisht edhe makina e policisë e cila ndodhej aty.
Për shkak të rrethanave të rënda në të cilën ka ndodhur ngjarja veprimet e mëtejshme pritet të kryhen nga ekspertë më të specializuar për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes si dhe për përcaktimin e saktë të shkakut të daljes nga rruga dhe të shpërthimit të automjetit.