Një letërporosi ndërkombëtare për t’u lejuar marrjen në pyetje të 3 të paraburgosurve. Dita vendimtare do të jetë e mërkura, pikërisht atëherë kur prokurorë nga Krimet e Rënda të Tiranës, me në krye ndoshta Besim Hajdarmatajn, do të zbresin në aeroportin “Fontanarossa” për t’iu drejtuar më pas institucionit penitenciar të Bicoccas.
Një udhëtim ky që ka për objektiv parësor atë të sigurimit të informacioneve të nevojshme mbi hetimin e nisur në anën tjetër të Adriatikut, që ka lidhje me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i vendosur nën akuzë, e më pas në arrest shtëpiak, për të fituar ditën e sotme sërish lirinë, gjithçka për shkak të kushëririt të tij Moisi Habilaj, të arrestuar dhe nën hetim në Itali.
Habilaj konsiderohet nga Prokuroria e Katanias, si dhe hetuesit e grupit policor të “Guardia di Finanza”-s, si truri i narkotrafikut dhe armëve të zjarrit nga Shqipëria drejt Italisë. Trafik ky që ofronte dhjetëra milionë euro, të cilat do të ndaheshin në të njëjtën tryezë mes shqiptarëve dhe pjesëtarëve siçilianë të “Cosa Nostra”-s.
Hetimi italian, i mbyllur zyrtarisht dhjetorin e shkuar, do të nxjerrë në proces gjyqësor 15 persona, ndërsa seanca e parë është caktuar për më 31 maj. Në disa përgjime, të zbuluara nga media italiane “MeridioNews”, trafikantët i referoheshin pikërisht politikanit socialist. Një lidhje e supozuar, të cilës i bashkëngjitet edhe një automjet i përdorur nga narkotrafikantët për udhëtime dhe i regjistruar nën emrin e Tahirit, i cili gjithsesi është betuar t’ia ketë shitur një kushëriri tjetër, të po të njëjtës familje, Habilaj.
Ata që do të merren në pyetje nga prokurorët shqiptarë do të jenë edhe Maridian Sulaj dhe Nezar Seiti. Ky i fundit u ekstradua në Itali mes polemikave, pasi u kap nga policia shqiptare në Vlorë. 41-vjeçari, edhe pse pa dëshirën e tij, u bë protagonist në Shqipëri i një njoftimi, i cili rezultoi i rremë, se kishte pranuar të bashkëpunonte me prokurorët e Prokurorisë së Katanias.