Kanë përfunduar punimet në lotin 3 të rrugës “Demokracia” në Paskuqan për asfaltimin përfundimtar të saj. Loti 3 i kësaj rruge ka një gjatësi prej rreth 2 km, duke u përfunduar investimi i planifikuar përgjatë vitit 2017. Plotësia e këtij investimi garanton një infrastrukturë bashkëkohore në një nga investimet themelore të realizuara brenda një kohe shumë të shkurtër për vetë specifikat që mbart politika e qeverisjes lokale e Bashkisë Kamëz. Shndërrimi total i infrastrukturës në Njësinë Administrative Paskuqan është politika integrale që kryebashkiaku Xhelal Mziu ka realizuar gjatë mandatit të ushtruar në kushtet e reformës territoriale. Një sërë investimesh të tjera janë duke u realizuar në Njësinë Administrative të Paskuqanit, të cilat do të ndikojnë ndjeshëm në rritjen e cilësisë së infrastrukturës urbane, duke ofruar kështu edhe kushte më të mira jetese për qytetarët e kësaj njësie, por edhe për qytetarë të tjerë që kalojnë në këtë rrugë. Një tjetër investim i Bashkisë Kamëz është edhe asfaltimi i urës lidhëse me Tiranën, duke realizuar dhe marrë përsipër edhe pjesën që i përket Bashkisë së kryeqytetit, me qëllimin për t’u ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve, jo vetëm të Kamzës, por edhe të Tiranës e të gjithë atyre që kalojnë në këtë segment të rëndësishëm rrugor. Ky investim që pati ndërhyrjen vetëm të Bashkisë Kamëz në kuadrin e partneritetit publik-privat solli përpara të gjithë qytetarëve marrjen e shërbimeve infrastrukturore, shumë të lodhshme deri më tani për to. Loti 3, ashtu si gjithë rruga “Demokracia”, është i pajisur me të gjitha standardet bashkëkohore. E rëndësishme është se gjithë investimi financohet vetëm nga buxheti i Bashkisë, në një kohë kur për katër vjet qeveria qendrore ka qenë inekzistente për Kamzën, Paskuqanin dhe qytetarët e këtyre zonave, duke mos akorduar asnjë fond për projektet zhvillimore të qytetit.