Zbulimi i një arsenali armësh në një banesë të braktisur, mund të çojë në zbardhjen e disa ngjarjeve të rënda kriminale, që kanë ndodhur vitet e fundit në Durrës.
Policia dyshon se arsenali i armëve, mes të cilave edhe katër silenciatorë, krehra me fishekë, fenelina, mjete dhe veshje Policie e kapuça, si dhe sasi e vogël e lëndës narkotike e dyshuar marijuanë, i përket një grupi të strukturuar kriminal, në Durrës e më gjerë.
Ekspertët kriminalistë kanë marrë edhe shenjat e gishtërinjve dhe prova të tjera në vendin ku zbuluan armatimin, me qëllim për të identifikuar poseduesin e tyre. Mësohet se apartamenti posedohej aktualisht nga shtetasi Xhevair Lushka, 56 vjeç, i cili është shpallur në kërkim. Sipas burimeve, banesën, që ndodhet në katin e gjashtë të një pallati në zonën e Shkëmbit të Kavajës, vite më parë ai e përdorte gjatë periudhës së verës.
Por prej disa kohësh, banorët nuk kishin pikasur asnjë person të futej dhe të dilte nga apartamenti. Hetuesit e Policisë dyshojnë se apartamenti përdorej nga persona me precedentë kriminalë, të cilët e kishin kthyer në strehën e tyre, duke fshehur edhe armatimet dhe uniformat e Policisë, që dyshohet t’i kenë përdorur në aktivitetin e tyre kriminal.
Në rrethin e Durrësit janë disa ngjarjet që kanë ndodhur nga persona të maskuar me uniforma Policie, siç është rrëmbimi dhe më pas ekzekutimi i Gazmend Çollakut, rrëmbimi i Enver Stafukës në Fushë- Krujë, grabitja e dy automjeteve në autostradë, si dhe grabitja e një kambisti në qendër të Durrësit.