Duket se ping-pongu me dosjet nëpër gjykatat shqiptare do vazhdojë shumë gjatë. Vendimi i Gjykatës së Lartë për të unifikuar praktikën gjyqësore, pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale nuk ka funksionuar.
Këtë të hënë, Gjykata e Tiranës ka vendosur të dërgojë në Gjykatën e Lartë për interpretim çështjen e vrasjes së gjyqtares Fildez Hafizi. Sipas gjyqtarit Sokol Tona, ky rast është kompetencë e Krimeve të Rënda dhe Shkalla e Parë nuk mund ta vazhdojë këtë proces.
Fildez Hafizi u vra në datën 31 Gusht nga bashkëshorti i saj, Fadil Kasemi. Por me ndryshimet e bëra në Kodin e Procedurës Penale, në vitin 2017, vrasjet për motive familjare do të hetohen dhe gjykohen nga prokuroritë dhe gjykata e rretheve.
Por kjo situatë solli një ngërç dhe u desh një vendim unifikues të Gjykatës së Lartë. Por pavarësisht këtij vendimi, ai interpretohet në mënyra të ndryshme nga gjykatat.
Kështu, Krimet e Rënda kanë shpallur moskompetencë për disa dosje të regjistruara para datës 1 Gusht. Ndërsa gjykatat e rretheve ia kalojnë për interpretim Gjykatës së Lartë, duke qenë se vendimi lë vend për diskutim.
Dosjet që pritet të kalojnë sa në një gjykatë në tjetrën janë kryesisht krime në familje dhe trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike./Klan