Ekonomia dhe punësimi janë në rritje, por këta tregues nuk po nxisin konsumin dhe rritjen e çmimeve…
Ekonomia shqiptare është në rritje afër potencialeve të saj, por disa tregues zyrtarë që pasqyrojnë këtë ecuri janë kontradiktorë. Banka e Shqipërisë dhe shifrat e INSTAT tregojnë se ekonomia është rritur me 3.8% vitin e kaluar, shumë afër mundësive të saj. Punësimi është rritur në raport me këto zhvillime dhe monedha kombëtare është forcuar me mbi 5% në këtë fillim viti, si rezultat i ekonomisë në rritje. Por, nga ana tjetër, në kontradiktë me këto zhvillime konsumi vijon të jetë i dobët, hendeku i prodhimit është rritur dhe inflacioni është i ulët. Një ekonomi në rritje normalisht duhet të prodhojë konsum dhe inflacion në rritje. Banka e Shqipërisë analizoi zhvillimet ekonomike në tremujorin e parë të 2008-s dhe konstatoi se ekonomia shqiptare vazhdon të karakterizohet nga zhvillime pozitive ciklike.
Informacioni i ri ekonomik dhe financiar i marrë në analizë tregon për rritjen e vazhduar të aktivitetit ekonomik, të mbështetur nga mjedisi financiar stimulues, nga zhvillimet pozitive në tregjet ndërkombëtare dhe nga përmirësimi i besimit në ekonomi. Përditësimi i parashikimeve makroekonomike vijon të tregojë zgjerim të mëtejshëm të aktivitetit ekonomik dhe shfrytëzim gjithnjë e më të plotë të kapaciteteve prodhuese, si dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2019, analizoi autoriteti qendror bankar. Banka e Shqipërisë vlerëson se si pasojë e këtyre zhvillimeve, norma bazë e interesit nuk do të ulet përpara tremujorit të dytë të vitit 2019. Ndërkohë, në afatin e shkurtër, Banka e Shqipërisë do të monitorojë ecurinë e kursit të këmbimit dhe do të vlerësojë përshtatshmërinë e qëndrimit të politikës monetare, në varësi të ndikimit të tij të pritur në inflacion dhe në funksion të përmbushjes së objektivit. Burimet e rritjes ekonomike kanë qenë kryesisht përbërësit e brendshëm të kërkesës agregate, me kontribuues parësor konsumin dhe investimet private.
Banka-biznes, në një marrëdhënie të vështirë/Edhe këtë vit, bankat vijojnë të mbajnë kushte të shtrënguara kreditimi, veçanërisht për segmentin e bizneseve, edhe pse politika monetare është konsumuar ekstremisht në favor të zgjerimit të huadhënies. Kërkesa për kredi për investime dhe konsum është rritur gjatë vitit 2017 dhe pritet të ndjekë të njëjtën prirje dhe në vijim. Kredia në lekë është zgjeruar me ritme të kënaqshme dhe është mbështetësi kryesor i zgjerimit të kredisë për sektorin privat. Ulja e normave të interesit të kredisë në nivele historike ka ndihmuar në zhvendosjen e kërkesës për kredi drejt monedhës vendase. Në fund të muajit mars, kredia në lekë zë rreth 47.5% të kredisë për rezidentët, ose 1.6 pikë përqindje më shumë se një vit më parë. Megjithatë, dinamika e rritjes së kredisë mbetet e moderuar. Kërkesa për kredi, ndonëse në rritje, vlerësohet relativisht e ulët. Ecuria e kreditimit pritet të përmirësohet gradualisht në të ardhmen. Rritja e kërkesës agregate pritet të nxisë kërkesën për kredi. Po ashtu, treguesit e shëndetit të sistemit bankar tregojnë se bankat kanë aftësi të akomodojnë një rritje të mëtejshme të kërkesës për kredi. Raportet e kapitalizimit, të përfitueshmërisë dhe të likuiditetit janë në nivele të kënaqshme. Gjithashtu, rreziku i kredisë është zbutur, sikundër reflektohet në rënien e vazhdueshme të raportit të kredisë me probleme. Ky raport arriti në 13.4% në muajin mars, nga 17.4% një vit më parë. Dinamika e zhvillimeve monetare e financiare e tremujorit të parë të vitit 2018 ka qenë e ngjashme me atë të vitit të shkuar. Tregjet e brendshme financiare dhe ecuria e treguesve monetarë ka qenë përgjithësisht e qetë. Megjithatë, një zhvillim i spikatur i kësaj periudhe ka qenë mbiçmimi i kursit të këmbimit, me një intensitet më të fortë se trendi forcues i nisur që prej gjysmës së dytë të vitit 2015.
Leku, mbiçmimi jashtë trendit/Analizat e Bankës së Shqipërisë i qëndrojnë faktit se trendi afatmesëm mbiçmues i kursit të këmbimit pasqyron ecurinë e faktorëve fondamentalë, si tendencat përmirësuese të bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë dhe nivelet e larta të Investimeve të Huaja Direkte.
Si i tillë, ky trend është një fenomen i pritur për ekonomi në zhvillim, si Shqipëria, dhe një fenomen tipik i konvergimit me standardet ekonomike të partnerëve tanë europianë. Nga ana tjetër, forcimi i shpejtë i kursit në periudhën mars – prill 2018 duket se është ndikuar nga goditje kalimtare, sipas Bankës. Këto goditje tentojnë, si rregull, të prodhojnë pasoja afatshkurtra dhe të mos sjellin shmangie të mëdha e të qëndrueshme nga trendet afatgjata. Ato kanë origjinë në tregjet financiare dhe mund të shoqërohen me luhatje të pritjeve për të ardhmen e kursit nga agjentët ekonomikë dhe me ndryshimin e përkohshëm të raporteve të kërkesës dhe ofertës për valutë. Si të tilla, efektet e tyre pritet të jenë kalimtare. Megjithatë, Banka e Shqipërisë mbetet në monitorim të ecurisë së kursit të këmbimit, të faktorëve përcaktues të kësaj ecurie dhe të ndikimit të saj në ecurinë e çmimeve dhe në aftësinë tonë për përmbushjen e objektivit të inflacionit. Duke u bazuar në këto gjykime, përditësimi i parashikimeve tona nuk solli ndryshime të qenësishme në trajektoret e pritura për rritjen ekonomike dhe inflacionin. Ekonomia shqiptare pritet të mbetet në një trajektore pozitive rritjeje ekonomike. Rritja e kërkesës agregate pritet të rrisë përdorimin e kapaciteteve prodhuese pranë niveleve të tyre optimale. Shtimi i presioneve inflacioniste do të krijojë premisa për forcimin e presioneve të përgjithshme inflacioniste. Banka e Shqipërisë parashikon se inflacioni mesatar vjetor do të luhatet rreth nivelit 1.9% gjatë vitit 2018 dhe do të kthehet në objektiv brenda vitit 2019.
Megjithatë, në përgjigje të shtimit të presioneve frenuese mbi inflacionin, që vijnë nga tregu financiar, përditësimi i parashikimeve sugjeron se kahu stimulues i politikës monetare duhet të ruhet për një kohë më të gjatë krahasuar me vlerësimet tona paraardhëse. “Duke gjykuar mbi informacionin e disponuar dhe projeksionet tona për të ardhmen, Banka e Shqipërisë vlerëson se intensiteti i stimulit monetar nuk do të ulet përpara tremujorit të dytë të vitit 2019”, lajmëroi Banka e Shqipërisë. Monitor