Vetëm gjatë muajit Gusht të vitit të shkuar, sipas INSTAT, u shënuan rreth 700.000 dalje të shtetasve shqiptarë jashtë vendit për “qëllime personale”, ku zërin kryesor e zënë pushimet. Në raportin “Turizmi në Shifra, 2013-2017”, një publikim i INSTAT në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, thuhet se shpenzimet e shtetasve rezidentë në Shqipëri gjatë kohës që kanë qëndruar jashtë vendit vitin 2017 kanë kapur shifrën e 129.526 milionë lekëve.
Para që shqiptarët preferojnë ti shpenzojnë duke pushuar jashtë vendit, se sa në Shqipëri.
Udhëtimet jashtë
“Në periudhën 2013-2017, daljet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit ka qenë 22,6 milionë persona, me tendencë rritje mesatarisht prej 7,2 %. Në vitin 2017, daljet e shtetasve shqiptarë janë rritur me 6,9 %, krahasuar me vitin 2016. Shqiptarët udhëtojnë më shumë për pushime verore. Daljet e rezidentëve shqiptarë jashtë vendit kulmojnë në muajin gusht, referuar të dhënave të vitit 2017”, thuhet në raport.
Shpenzimet
Sipas raportit, shpenzimet e shtetasve shqiptarë (rezidentë) jashtë vendit kanë qenë 854.547 milionë lekë (2013-2017), duke u rritur mesatarisht me 2,2 %.
Në vitin 2017, shpenzimet e shtetasve shqiptarë (rezidentë) jashtë vendit janë rritur me 8,1 %, krahasuar me vitin 2016.
Shpenzimet e rezidentëve për udhëtime personale zënë pjesën më të madhe, mesatarisht 75,9 %, dhe shpenzimet për udhëtime biznesi dhe profesionale 24,1 % të shpenzimeve gjithsej.
Shtetasit rezidentë shqiptarë, referuar të dhënave të vitit 2017, kanë kaluar mesatarisht 7,8 net qëndrimi jashtë vendit, duke shpenzuar mesatarisht 56 Euro në ditë. Daljet e shtetasve shqiptarë (rezidentë) jashtë vendit për vitin 2017, kanë qenë kryesisht për qëllim pushimesh (rreth 55 % të daljeve) dhe vizita te miqtë e të afërmit (rreth 31 % të daljeve).
Gjatë vitit të kaluar, Greqia ishte shteti ku udhëtuan më shumë shqiptarë.