Adriana Tolka: Artistët nuk bëhen dot bashkë se po u cënohet buka e përditshme

Saturday, 02 June 2018 10:10

Në sezonin artistik të Teatrit Eksperimental aktorja Adriana Tolka ka spikatur me personazhet saj në skenë. Ka një karrierë artistike prej afro dy dekadash dhe në shfaqje të ndryshme, dramë dhe komedi ajo është përcjellë me interesin e publikut. Për aktoren ky ka qenë një sezon artistik shumë i ngarkuar, por ajo vlerëson punën që është bërë me regjisorët dhe për eksperiencat në teatër. Adrian Tolka i bashkohet artistëve që janë në mbrojte të Teatrit Kombëtar. Jo vetëm për teatrin, por dhe për të tjera probleme shqetësuese aktorja tregon se ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro deri tani ka treguar që nuk ka qenë në krah të artistëve dhe kërkesave të tyre.  

“Artistët ngritën zërin, sepse kërcënimi qe këtë herë më i hapur për Teatrin Kombëtar. Kur u bë faktike, që kjo ndërtesë do të shembet atëherë ndoshta u zgjuan aktorët, por kjo nuk do të thotë që dhe më parë nuk e kanë ngritur zërin. Megjithatë kur kërcënimi u bë kaq real, artistët protestuan. Por ne nuk duhet të ngrihemi vetëm kur na vjen e keqja te dera jonë, të ngrihemi të protestojnë për çdo padrejtësi që i bëhet çdo pjese të komunitetit në Shqipëri. Duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin. Jo vetëm unë si aktore, por dhe shumë të tjerë e mendojmë që shembja e Teatrit Kombëtar është një marrëzi. Një e keqe shumë e madhe. Niset nga interesat. Ne përpiqemi të luftojmë për ta mbrojtur. Tani që ne po flasim po përpiqet një grup i vogël artistësh që janë dhe përfaqësuesit tanë, disa janë anëtarë të Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit, që kanë dhe fjalën tonë në takimet që bëjnë”.

Protestës nuk i janë bashkuar ët gijthë artistët dhe këtë gjë aktorja Tolka e shikon si të “natyrshme”, sepse “shumë janë kryefamiljarë u cënohet buka e përditshme. Kjo është ajo që mendoj. Secili i di vetë problemet që ka, por e drejta do të ishte që të ishim të gjithë bashkë. Por po të fillojmë të avullojmë një e nga një, sigurisht dhe ata që do mbeten, do jenë më pak të fortë. Nuk duhet të tërhiqemi, ne do të luftojmë deri në fund që ndërtesa e Teatrit Kombëtar të ruhet. Mjafton të sensibilizohet edhe shoqëria, dhe ajo ndërtesë nëse gjenden fondet mund të rregullohet dhe të fillojnë procesi normalisht i punës me teatrin. Nuk është e lehtë të bësh një teatër. Për mua një Teatër Kombëtar duhet të ekzistojë si një ndërtesë më vete, dhe është si një ministri. Ti mund të bësh si shtet teatër tjetër dhe jo ta shembësh këtë ekzistues. Për mua një teatër i ri kombëtar duhet të jetë në qendër”.

Lidhur me rolin e ministres së Kulturës, aktorja mendon se “ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro duhet të ishte në krah të artistëve, të nevojave të tyre, në mbrojtje të tyre. Kjo është ajo që mund të them, por ajo s’e ka bërë. Ministrja Kumbaro duhet të ishte në krahun tonë, por s’e ka bërë deri tani.

Ne do të presim që të zgjidhen gjërat me Ministrinë e Kulturës. Jemi në gjendje pezull, dhe kjo i bën shumë keq artit. Askush nuk po guxon të mendojë për projektet. Nëse do të bëhet një projekt në shtator ne duhet që tani të kemi hedhur idetë dhe të kemi aplikuar, por kjo gjë ka paralizuar jetën artistike. Ende nuk është marrë një vendim se çfarë do të bëhet dhe kjo është në dëm edhe të sezonit artistik që vjen. Kur gjërat janë paralizuar është në dëm të komunitetit tonë artistik. Shtresa e artistëve të skenës dhe ekranit është nga më intelektualet të shoqërisë sonë, por që po shtypet.

 Ne jemi artistë dhe shumica nuk mund të merren me diçka tjetër. Tregu i punës është shumë i kufizuar dhe i keqpaguar për kërkesat krijuese dhe dinjitetin e artistit. Në momentin që të cenohet ekzistenca, nuk mund të ketë liri!”, përfundon aktorja Adiana Tolka shqetësimin e saj.

Login to post comments