Katër artistë bashkëkohorë prezantohen në galerinë e artit “Zeta”

Saturday, 02 June 2018 10:15

Arti bashkëkohor zbret në Galerinë Zeta. Ekspozita e 4 artistëve me piktura, skulptura, video dhe instilacione do të vijë për publikun e kryeqytetit gjatë muajit qershor. Artistët Blerina Muça, Fatlum Doçi, Remijon Pronja dhe Sokol Peçi janë katër finalistët e çmimit “Ardhje 2018”, të cilët punët e tyre i prezantojnë për publikun. Valentina Koça organizatore e eks.ozitës bën me dije se nga një juri me emra të huaj dhe shqiptarë fitues i këtij çmimi u përzgjidh artisti Remijon Proja. Anëtarët e jurisë ndërkombëtare ishin Barnabas  Bencsik, Anthony Elms, por pjesë e jurisë ishte dhe Alketa Ramaj. Si organizatore Valentina Koça tregon se ekspozita e finalistëve është e kuruar nga Alban Hajdinaj dhe secili artist pjesëmarrës prezantohet me punë, që i takojnë mediumeve të ndryshme. “Punët e tyre janë me video, instilacion, seri pikturash akrelik dhe akuarel dhe një punë tjetër që është një hartë e vendit tonë”, pohon mes të tjerave Koça, organizatore e ekspozitës dhe drejtuese e galerisë “Zeta”.

Remijon Pronja, që konkurroi dhe u shpall fitues në çmimin “Ardhje 2018” me videon “An die freude, Nushid AlFarah”, e cila është realizuar në vitin 2016. Video është filmuar në një klasë të Medresesë së Tiranës, ku vajzat, gjatë orës së muzikës këndojnë himnin e Bashkimit Evropian në gjuhën arabe, të drejtuara nga mësuesi i muzikës. Artisti ka hyrë në komunikim me drejtuesit e shkollës dhe u ka kërkuar atyre mundësinë e realizimit të videos së tij duke u mbështetur në përvojën dhe kujtimet e tij të shkollës fillore kur himni i Bashkimit Evropian u bë pjesë zyrtare e programit mësimor në lëndën e muzikës.

Fatlum Doҫi prezantohet në ekspozitë me një instalacion. Ai ka përdorur kunguj dhe degë shelgjesh për të krijuar një lloj skulpture që e ushqen hapësirën ekspozuese me sugjerime vëllimore e materiale të marra nga natyra dhe vegjetacioni.

Sokol Peҫi prezantohet me një imazh fotografik të printuar. Kuratori Alban Hajdinaj shprehet se imazhi fotografik i titulluar “Motherland (A mirror to spit)” (Mëmëdheu, një pasqyrë për të pështyrë) paraqet hartën e Shqipërisë të konfiguruar prej salivas njerëzore mbi një masë dheu të ngjeshur.

Piktorja Blerina Muça sjell një seri pikturash në akrilik dhe akuarel. Piktorja është e frymëzuar më së shumti prej të birit dhe pikturon në vazhdimësi imazhin e tij, përveç personazheve të tjerë më dytësorë, në tablotë e saj. “Gjithsesi nuk kemi të bëjmë me një obsesion prej prindi ndaj imazhit të fëmijës por me një vëzhgim të kujdesshëm ndaj të papriturës që sjell loja dhe zbavitja fëminore, në rrafshin vizual”, shpjegon kuratori Alban Hajdinaj.

Ekspozita e finalistëve do të qëndrojë deri më 20 qershor.

Login to post comments