Nuk është asnjëherë e lehtë të flasësh për familjen para publikut. Shumë prej personazheve të njohur e ruajnë jetën e tyre familjare si një koracë të paprekshme nga kureshtja e publikut, por edhe ata që kanë zgjedhur të ndajnë me të gjithë çdo detaj, nuk e kanë pasur të lehtë.
Deri vonë, pakkush kishte ditur se Marjana Kondi ishte ndarë nga i ati në moshë fare të vogël. Pak muaj më parë, aktorja e njohur e humorit ishte e ftuar në “Pasdite në Top Channel”, nga ku rrëfeu për takimin e shumëpritur, pas plot 48-vitesh – i përmalluar, i munguar, i mezipritur, i ndjerë.
Si e rritur pa të atin, aktorja nuk e ka pasur të qartë përfytyrimin e tij, por pikërisht atëherë kur e takoi dhe ishte pothuaj 50-vjeçare, ai i ishte dukur i njëjtë – ai që e la në moshën 3-vjeçare.
Mbrëmë nga "Kurthi i Piter Panit", Marjana Kondi është vënë edhe një herë tjetër në vështirësi përballë pyetjeve të fëmijëve.
E pyetur për raportin me të atin, Marjana tha se ajo nuk e ka gëzuar praninë e tij si ata: “Unë kam qenë tre vjeç kur babi nuk ishte më me mua, se babi im ka qenë pilot. Jeta shkoi dhe kur unë isha 49 – 50 vjeç, çuditërisht portreti i tij ishte siç e kisha lënë unë kur isha 3 vjeç”, – tha ajo me zërin e dridhur nga emocioni.
Por fëmijët nuk e lanë me kaq. Më tej, ata e pyetën edhe për raportin me të ëmën. Këtu, Marjana e kishte vështirë ta mbante veten.
E ëma e saj nuk jeton më, por ajo e kujton gjithmonë, mes lotësh: “Bota është e bukur shumë me të gjitha mamatë dhe baballarët”, – tha ajo e prekur nga kujtimi i së ëmës.
Aktorja që për vite me radhë i ka bërë të gjithë të qeshin, në fakt, në vetvete ka pasur mjaft brenga, të cilat nuk i vjen keq t’i tregojë…
Janë të bukura edhe mes lotësh…