Në edicionin e V të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”, që u mbajt më 10 qershor 2018, në 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për herë të katërt me radhë, Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” e ndau Çmimin kombëtar “Ali Vishko”, të cilin e ka themeluar në vitin 2014. Në përputhje me Statutin e Shoqatës, ky çmim u ndahet personaliteteve shqiptare nga vendi dhe rajoni në çdo përvjetor të Lidhjes së Prizrenit. Emrin e fituesit, të laureatit për vitin 2018 e bëri publik, Selam Sulejmani, kryetar i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”.
“Pas shpalljes së konkursit, dhe shqyrtimit të propozimeve të arritura, Komisioni përkatës, vendosi që Çmimi kombëtar “Ali Vishko”, për vitin 2018 t’i ndahet Prof. Dr. Reshat Nexhipit, me motivacionin për veprimtari jetësore dhe arritje të veçanta në fushën e shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptare. Përmes ndarjes së këtij çmimi, juria profesionale dhe ne anëtarët e Shoqatës “Tradita” edhe pse në formë modeste, dëshirojmë t’i shprehim falënderimin dhe mirënjohjen tonë profesor Nexhipit për zhvillimin e arsimit, të shkencës dhe kulturës kombëtare, për rezistencën aktive intelektuale, për ruajtjen e vlerave dhe dinjitetit kombëtar në qytetin e Manastirit, vendlindjen e Alfabetit të gjuhës shqipe”, theksoi Selam Sulejmani.
Abdulla Memeti, kryetar i Komisionit për ndarjen e çmimit të lartpërmendur e lexoi referatin përkatës për jetën dhe veprimtarinë arsimore, shkencore dhe kulturore të laureatit të këtij viti.
“Prof. Dr. Reshat Nexhipi, këtë vit nderohet me Çmimin kombëtar ,,Ali Vishko”, të cilin e ndan Shoqata për kulturë dhe art „Tradita”, me seli në Tetovë, me rastin e përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Me këtë rast, kam nderin dhe kënaqësinë në emër të Komisionit për ndarjen e Çmimit kombëtar ,,Ali Vishko”, por edhe si mik i kahershëm i historianit, veprimtarit të shquar dhe profesorit të nderuar ta paraqes një biografi të shkurtë dhe me pak fjalë, aq sa lejon ky rast solemn, ta shpalosim edhe veprimtarinë arsimore dhe shkencore të laureatit të këtij çmimi. Reshat Nexhipi u lind në Prespë, më 1938, në një familje shqiptare të pasur dhe emancipuar bektashiane, me tradita të hershme atdhetare. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në disa qytete të Maqedonisë lindore, ku ka qenë e internuar familja e tij për shkak të veprimtarisë antikomuniste. Shkollën normale dhe Fakultetin Filozofik - degën e historisë i kreu në Shkup, ndërsa studimet pasuniversitare, magjistraturën dhe doktoraturën i kreu në Universitetin e Prishtinës. Gjatë kohës së studimeve ka qenë gazetar në ,,Flaka e vëllazërimit” në Shkup. Pas studimeve të magjistraturës u zgjodh profesor për lëndën e historisë kombëtare në Akademinë Pedagogjike të Manastirit, ku punoi vetëm katër vjet, deri në vitin 1981, kur për shkaqe politike u suspendua nga puna dhe afër 20 vjet u trajtua si tepricë teknologjike, deri në pensionimin e parakohshëm”, tha Abdulla Memeti.
Ai, po ashtu para të pranishmëve veçoi edhe punën shkencore të Prof. Dr. Reshat Nexhipit, dhe veprimtarinë e përgjithshme intelektuale në shërbim të kombit shqiptar.
“Ka marrë pjesë në shumë konferenca dhe manifestime të tjera shkencore në vend dhe jashtë, ka botuar me qindra artikuj shkencorë nga fusha e historisë, ka qenë anëtar i disa komsioneve recensuese për zgjedhjen në thirrje mësimore-shkencore të shumë profesorëve në Akademinë Pedagogjike në Manastir dhe më vonë edhe në Universitetin e Tetovës, ka zhvilluar dhjetëra polemika me historianë maqedonas për çështje të historisë sonë kombëtare.
Ndër të tjera, ka marrë pjesë në Simpoziumin shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë” në Shkup, më 1991, në tribunën shkencore me rastin e 85 vjetorit të Kongresit të Manastirit, më 1993 dhe në shumë manifestime shkencore të tjera, të organizuara nga shqiptarët në Maqedoni, sidomos nga viti 1990 e deri më sot.Profesor Reshat Nexhipi ka qenë aktiv edhe në jetën politike të vendit me fillimin e proceseve demokratike, ku ka dhën një kontribut tepër të çmuar si kryetar i degës së PPD-së në Manastir, nga viti 1990.
Ajo që është më e rëndësishme në karrierën e tij, si intelektual, profesor dhe veprimtar, ka marrë pjesë edhe në Kuvnedin themelues të Universitetit të Tetovës, më 4 qershor të vitit 1994. Që nga fillimi ka qenë profesor i disa lëndëve të historisë në Fakultetin Filozofik të këtij Universiteti. Në vitin 2001 u zgjodh anëtar i Bordit drejtues në Universitetin e Evropës Juglindore, ku punoi një kohë të gjatë. Ndër të tjera, ka dhënë një kontribut tepër të çmuar edhe në hapjen e disa shkollave në rajonin e Manastirit dhe themelimin e shoqërisë kulturore artistike „Bashkimi” në këtë qytet. Nga veprimtaria shkencore e profesorit Reshat Nexhipi duhet të veçojmë sidomos veprat e tij: ,,Shtypja dhe rezistenca shqiptare në Maqedoni nëpër shekuj”, e botuar më 1996, në Manastir, si dhe monografia ,,Prespa dhe Manastiri nëpër shekuj”, nga shtëpia botuese ,,Feniks” në Kërçovë, më 2003”, potencoi kryetari i Komisionit të lartpërmendur, Abdulla Memeti. Pas pranimit të Çmimit kombëtar “Ali Vishko”, Prof. Dr. Reshat Nexhipi, këtë çmim e cilësoi të veçantë dhe kurorëzim të punës së tij, brenda të cilit qëndron biografia e tij tetëdhjetëvjeçare.
“Ju faleminderit zotit Abdulla për fjalët e zgjedhura e të mira për mua, si dhe kryetarit të nderuar që patjetër dua të them që kjo nga kjo shoqatë kaq kombëtare dhe nga ky kryetar kaq i respektuar kam qenë i nderuar dy herë, në 2014 me një mirenjohje dhe sot më këtë çmim. I theksova këto të dy raste sepse kanë një farë lloj lidhje logjike dhe ja pse: mirënjohja e atëhershme të cilën e çmoj tepër, me siguri po e përsëris, e dalë nga një shoqatë e këtillë dhe nga një kryetar i këtillë nuk mund të mos zgjonin nga gjumi edhe disa shoqata të tjera. Kështu që, disa muaj menjeherë pas kësaj të vitit 2014, Shqipëria, Tirana më nderoi dhe më shpalli historian të vitit, d.m.th, me siguri ka ndikuar edhe kjo mirënjohje. Pas disa muajsh, Republika e Kosovës, përkatësisht kryetari i saj, më nderoi me një medalje të posaçme. Këto dyja edhe të tjera e të tjera ndikuan edhe deri te ky çmim. Unë kështu mendoj. Mirëpo, nga të gjitha këto çmime, unë këtë të sotmin e vlerësoj tepër, sepse ky çmim dhe ky nder, edhe për shkak të moshës time, është një kurorëzim i punës time të deritanishme. Kurorëzim ose të shprehem kështu në mënyrë figurative, këtë të sotmin do ta quaj si një kuti të bukur të zbukuruar, në të cilën qëndron biografia ime tetëdhjetëvjeçare, prandaj, shumë faleminderit përë këtë! E dyta, mos të më keqkutojnë të tjerët që i kanë marrë këto çmime dhe që do t’i marrin pastaj, ky çmim është diçka i veçnatë, për shkak se destinacioni i këtij çmimi është vendlindja e Alfabetit, ose siç e quaj unë, vendëlindja e 36 muzave shqiptare dhe meqenëse ky çmim rastis në ditët e shenjta të Ramazanit, ndoshta ne që e kemi marrë dhe që do ta marrim në këto ditë, ndoshta na dëgjon Zoti dhe na shpie në parajsë”, tha, Prof. Dr. Reshat Nexhipi.
Çmimin “Ali Vishko” deri më tani e kanë fituar edhe Prof. Dr. Avzi Mustafa (2015), Prof. Dr. Remzi Nesimi, tashmë i ndjerë (2016) dhe Prof. Dr. Tahir Zajazi (2017).
Profesor Reshat Nexhipi aktualisht jeton dhe vepron në qytetin e Alfabetit të gjuhës shqipe, në Manastir dhe konsiderohet simbol i gjallë i këtij qyteti historik të shqiptarëve.
Edicioni i V i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon” përfundoi me programin artistik, në kuadër të të cilit u interpretuan pika muzikore-artistike, nga Biondina Selami - në piano, Teuta Emini - në flaut dhe Shkelzën Pajaziti - në violinë. Vargjet me motive historike-kombëtare të shkruara nga poetë e shkrimtarë të njohur të letërsisë shqiptare, si Ali Podrimja, Bardhyl Londo dhe Mitrush Kuteli, i lexuan profesoreshat e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, Zejnepe Alili – Rexhepi, Donika Bakiu, Muhabije Fejzuli dhe Valdeta Dulahi.
Manifestimi kulturor “Lidhja na bashkon” u realizua me mbështetjen finaciare të Ministrisë së Kulturës të Republikës së Maqedonisë dhe mbështetjen e Universitetit të Tetovës, Komunës së Tetovës, sipërmarrjeve të njohura shqiptare “Zgjimi Kompani” dhe “STR Komjuters”.
Me angazhimin e përbashkët, me kontributin e intelektualëve nga qyteti i Tetovës, Shkupit, Manastirit, Prishtinës, Tiranës dhe jo vetëm, manifestimi i lartpërmendur është shndërruar në njërën prej ngjarjeve kryesore që zhvillohen në qytetin e Tetovës.