Regjisor dhe kompozitor i mirënjohur, personalitetet e TVSH, Osman Mula, “Mjeshtër i Madh” , me një kontribut të madh në artin shqiptar, gjatë një interviste për mediat tregon se nuk ka politika arti, artistët dhe krijuesit nuk thirren në institucione. Për regjisorin kjo nuk është e drejtë, dhe sipas tij pyetja që i drejtohet sot institucioneve dhe Ministrisë së Kulturës është çfarë po prodhojnë, pasi repertori në teatro të ndryshëm lë për të dëshiruar sa i takon veprave shqiptare. “Artistë janë harruar nga të gjitha zërat. Askush nuk kujtohet. Nuk ftohen në aktivitete, nuk paguhen, nuk janë pjesë e tregut, nuk janë pjesë e politikave kulturore shtetërore, që do të thotë konkurse për teatrin, operën, baletin, për vepra simfonike, konkurse për një dramë shqiptare. Por nuk bëhet asgjë sot. Shteti dhe institucionet ka për detyrë të bëjë konkurse dhe këta artistë të shkruajnë. Por nuk shkruajnë se nuk ka se për çfarë të shkruajnë. A kemi sot simfonie shqiptare, balet dhe opera shqiptare? Asnjë nuk ka prej vitesh dhe nuk tentohet të ketë. Opera e parë në Shqipëri është vënë në skenë nga Prenk Jakova, por me njerëz amatorë, që ka shkuar dhe i ka kërkuar vetë autori. Ja pra çdo të thotë pasion. Artistët sot i kaë lënë në mjerim. Unë nuk dua të flas me emra ministrash kulture, sepse as i njoh. Edhe këtë sot që kemi ministre Kulture nuk e njoh. Nuk e di kush është. As kam punë me të. Unë flas si artistët. Artistët janë gjithë jetës së tyre, ndërsa ministrat vetëm sezonal. Nuk kanë bërë politikë në mbështetje të artistëve, artit dhe kulturës. Si ministrat më parë, por dhe tani nuk dinë të bëjnë politikë arti. Ne i shohim vetëm kur bëhet ndonjë promovim në panaire libri, ose kur zbulohet ndonjë gur diku në një fshat dhe del dhe thotë u zbulua guri. Kur asgjë nuk merr përsipër Ministria e Kulturës sa i takon teatrove, që sot janë nën varësi të bashkive. Dhe është një luks i madh që Ministria e Kulturës me buxhetin që ka të merret me një aktivitet që do dhe si do ajo. Institucioni ka një buxhet, fton një këngëtar të huaj dhe e merr ai buxhetin. Por kjo nuk quhet politika jonë në art.
Detyra e institucioneve tona është që të kenë repertor teatror. Unë sot në repertorin e teatrove tona nuk shikoj vepra shqiptare as në TOB as në Teatrin Kombëtar. Më vjen keq që ne sot institucionet tona i kemi shumë të politizuara. Janë me drejtues superservila të politizuar aq sa të vjen me vjellë nga politizimi i tyre. Janë më servila se vetë ata që e kanë themeluar partinë. Drejtuesit e institucioneve që bëjnë politikat thërrasin vetëm njerëz që i servirin partitë, dhe nuk flitet më për art këtu.
Teatrot duhet të jenë në varësi të ministrisë. Por kur ne nuk kemi më as ndërtesën e Kinostudios me historinë e saj me filmin dhe nuk ka më zi. Çfarë na duhet sot “Shtëpia me Gjethe”, kur ti nuk ke sot një muze të filmit shqiptar? Mos kesh fare informacion për Kinostudion shqiptare është më zi sa nuk ka ku të shkojë. Sot gjendja është e tillë për artistët, që janë në mjerim. Si mundet të jetojnë artistët në rrethe me një rrogë 250 mijë lekë në muaj? Por nuk është fatkeqësia vetëm te rroga, sepse nuk të vijnë më në teatër as aktorë të rinj. Problemi sot për mua, si qytetar asgjë nuk po na afrohet në treg. Përgjegjësia e institucioneve dhe e Ministrisë së Kulturës, që nuk dinë të bëjnë politika arti.
Arti ka nevojë të mbështetet, po nuk e bërë këtë shkon në zero, dhe ka prekur fundin. Për mua arti në Shqipëri ka prekur fundin, përderisa repertoret tona janë të zbrazura dhe nuk kanë vepra shqiptare. Kjo tregon që nuk je më produktiv në veprat artistike shqiptare”.