Busti i poetit martir Havzi Nela, vepër e skulptorit kuksian Ilmi Hoxha u vendos sot në gjimnazin që mban emrin e tij në qytetin e Kukësit.
Në ceremoninë e përurimit të bustit të organizuar nga bashkia e Kukësit ishin të pranishëm deputetë, prefekti i qarkut Zenel Kuçana, familjarë, qytetarë, etj.
Kryetari i bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, theksoi se “falë sakrificës së tij sublime, falë guximit e krenarisë së tij, Kukësi është në hartën e botës si qytet i poetit të varur.
Përditë e më shumë Havzi Nela do të bëhet krenari për njerëzit që jetojnë në këtë qytet, për gjimnazistët që do të dalin nga gjimnazi i Kukësit që mban emrin e tij”, nënvizoi Shehu.
Sipas tij, Kukësi tashmë përveçse qytet i qëndresës së madhe të 1912, qytet i mikpritjes së madhe dhe kandidat për Nobel në 1999, është edhe qytet i poetit të varur në litar në emër të lirisë, të fjalës së lirë.
Havzi Nela lindi më 24 shkurt 1934 në fshatin Kollovoz të rrethit Kukës. Mbaroi shkollën fillore dhe të mesme në rrethin e lindjes, në një varfëri të tejskajshme për të vazhduar më vonë Institutin në Shkodër ku përjashtohet, pasi ai kundërshtonte politikat e kohës.
Pas viteve të tëra burgime, internime e madje edhe disa dënime me vdekje, më 10 gusht 1988 poeti dhe mësuesi disident Havzi Nela u var në sheshin kryesor të Kukësit.
Havzi Nelës i është akorduar titulli “Martir i Demokracise” dhe “Nderi i Kombit”.