Dervish “Sharkia” dhe Grupi Kosovar i Rrashbullit

Tuesday, 12 June 2018 17:53

                   

                     Bajram Gashi botoi librin “Ah, Shqipni, mos thuej mbarova!”

 

Nga Qemal SAKAJEVA

Poeti dhe shkrimtari i njohur Adem Istrefi, i pat thirrur prej së largu, “Ou, ku je Dervish “Sharkia”, legjendës së folklorit shqiptar Dervish Shaqa, i cili, me këngët dhe sharkinë e tij, me profilin epik të portretit si një copë shkëmb dhe shtatin e lartë nën veshjen kombëtare me  xhamadan e tirq, e bënë atë, të ishte dhe të mbetej, një interpretues i jashtëzakonshëm.

Kurse mësuesi Bajram Gashi nga Shënavlashi i Durrësit, pati bërë be se do të shkruante një libër për Dervish Shaqën dhe Grupit Kosovar të Rrashbullit, duke qenë edhe vet pjesëtar i tij.

Dhe fjala u mbajt: libri Ah, Shqipni mos thuej mbarova,  sapo është vënë në qarkullim.

Demush Neziri dhe Syl Hasani e kishin formuar si mendim, por ata patën kërkuan të sillej patjetër aty, Dervish Shaqa, dhe  “atëherë shihnin çfarë do të jetë Grupi Kosovar i Rrashbullit”. Atyre iu bashkuan disa këngëtarë, mes tyre edhe valltarja e talentuar Merushe Badolli.

Dervishi dhe Demushi qenë arratisur nga Lluka e Epërme e Deçanit të Kosovës, më 6 mars 1956, në kulmin e aksionit famëkeq të mbledhjes së armëve, të terrorit serb të pashembullt m’u në mes të dimrit të ashpër me borë e ngricë të madhe, i drejtuar nga ministri i brendshëm Aleksandër Rankoviç.

Ata e kaluan kufirin në Tropojë, dhe prej aty e më pas nisi kalvari i vuajtjeve nëpër disa kampe internimi me radhë: Llakatund i Vlorës, Seman e Shtyllas i Fierit, Pluk dhe Çermë e Lushnjës, punëtor ngarkim-shkarkimi në Port, vendosja në një strehim në Shënavlash, prerës pylli në Bishtkamëz, punëtor në NB “Gjergj Dimotrov”, dhe më në fund një strehë në Rrashbull, ku u bë një ndër krijuesit e grupit, dhe shumë i njohur në Shqipëri, me këngët dhe sharkinë e tij. Për ta kishin domethënie zhgënjyese vargjet  e një prej këngëve të kënduar gjithmonë prej tyre: “Kur ta kthyem Kosov’ shpinën, e lamë bor’ e gjetëm dimën”.

Vlerat e atij grupi me famë të madhe, autori i ka vënë në pah në libër duke i vendosur në një sfond të gjerë, me shtjellimin e odave tradicionale shqiptare ku formoheshin e rriteshin këngëtarët popullorë, përballimin e terrorit të pandërprerë serb për të shpopulluar Kosovën, arratisjen e shumë shqiptarëve dhe vuajtjet e tyre në Shqipëri, si dhe plot fate njerëzore individuale tronditëse nëpër vite.

Në libër janë sjellë mendimet e mjaft personaliteteve të jetës shqiptare, të cilat kanë vlerësuar kontributin e  Grupi Kosovar të Rrashbullit, i cili nisi të njihet që në fillim të viteve ‘60 të shekullit të kaluar. Për mjeshtrin e madh të atij grupi, autori Bajram Gashi ka cituar edhe përcaktimin poetik të Kadri Rexhës, i cili ka shkruar se Dervish Shaqa “Zemrën e ktheu në Sharki. Sharkinë e ktheu në erë. Fjalën e ktheu në za. Zanin e ktheu në piskamë. Piskamën e ktheu në kushtrim. Kushtrimin në pushkë”.

Së afërmi libri do të promovohet në Deçan të Kosovës, aty ku ndodhet Lluka e Epërme, vendlindja e Dervish Shaqes dhe Demush Nezirit. Më pas do të promovohet edhe në Durrës.

Modifikuar më Tuesday, 12 June 2018 18:13
Login to post comments