Ramadan Sokoli, muzikologu unikal e mendjendritur

E Enjte, 14 June 2018 18:44

Sot është ditëlindja e Ramadan Sokolit, etnomuzikologut të shquar shqiptar. Si albanolog ka dhënë një ndihmesë të vyer në pasurimin e fjalorit gjuhësor nga lëmi i muzikës popullore, në bazë të një alfabeti të mbledhur direkt nga goja e bartësve popullorë. Ai u lind më 14 Qershor të vitit 1920, në Shkodër. Prindërit e tij, vinin nga dy familje të mëdha e me shumë influencë në Shkodër e më gjërë, të njohura për karrierën e tyre politike dhe frymën patriotike.

Nëna e tij, Aishja, nga e cila, Ramadani trashëgoi mënçurinë, maturinë e qetësinë, rridhte nga familja e njohur Juka. Ajo ishte një grua me shumë personalitet, që rriti dhe edukoi 9 fëmijëë 3 djem e 6 vajza, ku Ramadani, ishte fëmija i 5-të. Ai u rrit e u formua me një frymë patriotike falë familjes së tij.

Gjyshi i tij Hodo Sokoli- Legjendari i Lidhjes së Prizrenit, ishte një nga krerët e Lëvizjes së Miletit për mbrojtjen e territoreve shqiptare nga copëzimi i Fuqive të mëdha, ndërsa babai, Isufi, ishte diplomat e punonte shumë për të mbajtur këtë familje të madhe të shquar për mikpritjen e saj.

Siç tregojnë, në asnjë drekë apo darkë, ishte vetëm familja por aty, gjithnjë kish mysafirë, sidomos të rinj. Ajo ishte si një çerdhe për të grumbulluar të rinj e të reja, shokë e miq të fëmijëve. Shtëpia e madhe, në lagjen Dërgut të Shkodrës, kishte një bahçe, që lulëzonte në çdo stinë. Kishte dhe një kopësht të madh me mbi 120 rrënjë pemë frutore, ku rriteshin lirshëm kafshë e zogj, që nga kapronjtë, lepujt e deri tek papagajt e pavodat. Ata që e kanë njohur lulëzimin e kësaj shtëpie kanë mbajtur në kujtesë, pamjen e bukur dhe ngrohtësinë që ajo ofronte. Në këtë ambjent, shpesh herë, Ramadani me një nga motrat, Safetin, së bashku edhe me shokët e shoqet e tyre, bënin mini koncerte. Safeti shquhej për një zë të ëmbël e hyjnor, ndërsa vetë Ramadani, i binte disa veglave, si violina, kitarra, flauti, etj.

Që në moshë të njomë, ai bënte pjesë në Bandën Frymore të Qytetit të Shkodrës, që për kohën ishte e famshme. Rreth moshës 16 – 17 vjeçare, ai filloi të kompozojë. Bëri disa këngë që më pas, do të këndoheshin nëpër koncerte apo në Radio Tirana si pa autor, deri sa një ditë u quajtën, këngë popullore, ku dhe sot vazhdojnë të njihen si të tilla.

Kjo dashuri e madhe e Ramadanit për artin, e mposhti të atin, i cili, duke qenë një diplomat karriere, kishte të tjera ëndërra për të birin, por që u detyrua t’a çonte në Firence, pa bursë, me shpenzimet e tij, ku ai, studjoi për flaut e kompo-zicion në Konservatorin Luigi Cherubini nga viti 1939 deri në vitin 1943, në një kohë kur, rregjimi fashist e internoi atë vetë në Bologna. Gjatë këtyre viteve Ramadani, endej shpesh mes Firences e Bolonjës ku shkonte për të takuar të atin e internuar.

U kthye në atdhe me shumë dëshirë e plot pasion për të bërë gjëra të mëdha, si shumë të rinj të moshës së tij, por që fatkeqësisht këtu, e priti një realitet krejt tjetër. Me ardhjen e rregjimit komunist, hallet dhe vuajtjet që mund të kish kaluar kjo familje deri atëherë, do të dukeshin asgjë, përpara kalvarit të tmerrshëm që i priste. Menjëherë në fillim të vitit 1945, u burgosën të gjithë meshkujt e familjes. Vetë Ramadani, bëri burg politik nga 1945 deri në 1950, dhe një prej akuzave që iu bë ishte, se “donte Kosovën”. A thua të ishte ky, nje krim!!!??? Të duash një pjesë të vëndit tënd?!

Të dy vëllezërit e tij, u martirizuan nga rregjimi famëkeq dhe e kaluan pjesën më të madhe të jetës së tyre në burgje e internime. Asgjë nuk mbeti nga ajo hare e lumturi që mbretëronte në shtëpinë e tyre. Një nga një, vajzat u larguan nga shtëpia, kush për t’u martuar e kush për të punuar diku tjetër, për ta bërë jetën, disi më të lehtë. Burgu për Ramadanin qe një vuajtje e një tmerr pa kufi. Shpesh e kam dëgjuar të thoshte që atje ishte shkolla e jetës, kandar i burrave ku zbulova shumë gjëra dhe njoha më mirë vetveten, por që në shumë drejtime, i vlejti.

Së pari, e bëri të mblidhte të gjitha forcat e të kuptonte që nuk mund të çante më me ëndërra, por me një punë të palodhur.

Së dyti, duke qenë që në atë kohë nëpër qeli ishte ajka e Shqipërise për sa i përket kulturës e dijeve që kishin (shumica e tyre vinin nga familjet më të mira, e të shkolluara në perëndim) por dhe mjaft prej tyre ishin bartës të shkëlqyer të folklorit, mësoi shumë gjëra që në jetë ju kthyen mjaft të vlefshme. Ai nisi punën menjëhere dhe filloi të grumbullojë e të studjojë folklor, e kur erdhi dita fatlume për të dalë nga burgu doli me një thesar me vehte pasi kishte dorëshkrimet pothuaj të gatëshme të dy librave të tij të parë.

Pas daljes nga burgu e morën ushtar dhe e dërguan në jug të Shqipërisë, në fshatrat e Gjirokastrës, pothuaj në kufi me Greqinë. Edhe kjo për të qe një eksperiencë e vërtetë jete. Ishte dirigjenti i njohur Gaqo Avrazi që ndërhyri për t’a tërhequr në Tiranë e t’a punësonte për organizimin e Ansamblit të Ushtrisë, e më pas në organizimin e Korit të Filarmonisë. Pas kësaj punoi si Shef i Muzikës në Shtëpinë e Kulturës së Qytetit të Tiranës. Gjatë kësaj kohe u muar me organizimin e Festivaleve te Këngës e Valles Popullore.

Shpesh herë e kisha dëgjuar të tregonte në formën e një barcalete, që kish hyrë në stadium vetëm dy a tri herë në jetën e tij dhe këto ishin për Festival e jo për të parë ndeshje. E pas një kalvari të gjatë mundimesh pasi sapo zinte një punë, e hiqnin sepse “binte shumë në sy “ për dëshirën e pasionin që kishte për të bërë çdo gjë sic duhej, më në fund në vitin 1954 u emërua si mësues në Liceun Artistik, një punë që deri sa doli në pension e bëri me një pasion të papërshkrueshëm. E nisi me dhënien e lëndës për flaut por më pas, dha disa lëndë të tjera si, harmoni, solfezh, histori muzike, muzikë dhome etj Gjithashtu hartoi programe e tekste mësimore dhe arriti që me përkushtimin që e dallonte në çdo punë të fusë lëndën e folklorit muzikor që deri atëherë nuk ishte në programet e Liceut Artistik duke krijuar edhe tekstet mësimore për këtë lëndë si “Folklori Muzikor Shqiptar- Morfologjia” dhe “Folklori Muzikor Shqiptar – Organografia-“ . Krijoi një kabinet model të Folklorit për konkretizimin e kësaj lënde ku gjëndeshin plot vegla të ndryshme popullore, të gjitha të dhuruara prej miqve apo ish nxënësve të tij. Kishte ky laborator një fonotekë të pasur me qindra regjistrime të motiveve të ndryshme popullore të incizuara e të trasnkiptuara gjatë dy ekspeditave që kish udhëhequr nëpër gjithë Shqipërine ë Ekspedita Shqiptaro – Gjermane Lindore dhe Shqiptaro-Rumune me albanologë e studies të njohur si Erich e Maria Shtolkman dhe Vilfried Fiedler ne 1957 si dhe me një grup studjuesish e albanologësh rumunë ndër të cilët dhe Zj. Comischell në 1959.

Gjatë viteve që Ramadani punonte si mësues në Liceun Artistik, nuk u mjaftua vetëm me mësimdhënien por, u shqua edhe si krijues i mjaft veprave instrumentale me karakter didaktik, të cilat pasuronin programet muzikore dhe aktivitetet e ndryshme të kësaj shkolle. Gjithashtu, në periudha të ndryshme, jepte dhe disa lëndë falas në Akademinë e Arteve duke shkruar e botuar vetë edhe tekstet mësimore.

Ai bëri një punë gjysëm shekullore, gjatë të cilës, kompozoi, studjoi, hulumtoi, zbuloi figura të ndritura të mbuluara nga pluhuri i shekujve e i harresës. Ishte muzikolog pasi një krijimtari mjaft të pasur në muzikë duke filluar që nga kompozimet e këngëve që në moshë të re, vepra instrumentale, orkestrale, skica, duete, tercete, kuartete, fantazi e balada, romanca, valle, poema sinfonike, rapsodi etj. Disa prej veprave të tij janë vlerësuar edhe me çmime në konkurse apo aktivitete të ndryshme, por në të vërtetë një pjesë e mirë e tyre janë luajtur nëpër koncerte apo Radio e TV, por, pa ju përmëndur autori, e mjaft syresh flenë nëpër sirtare të bibliotekës së tij pa u ekzekutuar ndonjëherë.

Ai ishte një etnomuzikolog pasi përveç studimeve e artikujve të shumtë në këtë fushë ka vepra me vlera shkencore siç janë “Folklori Muzikor Shqiptar – Morfologjia” dhe “Folklori Muzikor Shqiptar – Organografia”.

Ramadan Sokoli, ishte nga studiuesit e parë të Polifonisë Sonë Popullore – ku nëpërmjet studimit të thellë e shkencor ka hedhur dritë mbi cilësitë dhe tiparet dalluese të të kënduarit me shumë zëra. Ai ka shkruar me qindra artikuj studimorë në shumë fusha të artit kulturës, etnomuzikologjisë, albanologjisë, muzikologjisë, historisë etj. Ka shumë bashkëpunime në realizimin e një sërë dokumentarësh televizive dhe kinematografikë. Ka botuar në kushte të një vështirësie të tejskajshme mbi 19 libra. E ka mjaft të tjerë ndër studime muzikë e libra që nuk e kanë parë kurrë dritën e botimit apo ekzekutimit .

E megjithë këtë punë të madhe rregjimi nuk e donte Ramadanin, e shfrytëzonte sa mundej, por kurrë nuk i dhanë vëndin e duhur, atë cka meritonte për punën që bënte. Në vitin 1976, kur ai ndjehej në kulmin e forcave, vetëm sa kish kapërcyer 55 vjetët e nxorrën në pension.

Ka punuar shumë me foklorin por shpesh në festivalet Follorike që organizoheshin në Gjirokastër nuk ishte i ftuar!! Kjo edhe mbas viteve 90’, përvec festivalit të vitit 1995, i cili u organizua në Berat, ku ai u caktua si President i Festivalit.

Vetëm tre muaj mbas vdekjes së tij, në Qershor të vitit 2008, Shoqata Ndërkombëtare e Folklorit me Qendër në Itali, në një aktivitet Ndërkombëtar që u zhvillua në Foggia, i akordoi çmimin “Oscar Mondiale del Folclore” me motivacionin “Për një punë të palodhur në hulumtimin e përpunimin e folkorit”.

Fatkeqësisht Ministri i Kulturës së asaj kohe nuk dërgoi një përfaqësues për ta marrë këtë cmim të nderuar, që përvec të tjerave vinte për herë të parë në Shqipëri, madje as Ambasada Shqiptare në Romë nuk pati përfaqësuesin e saj, por vetëm të bijat shkuan me shpenzimet e tyre për të marrë pjesë në këtë ceremoni.

Titulli “Profesor” iu akordua në vitin 1995 – kur shumë prej ish nxënësve të tij e gëzonin atë prej kohe. E bënë për një kohë të shkrutër Akademik, por në vitin 1998 me marrjen e pushtetit përsëri nga socialistët e hoqën “ Medet …. Sa turp për këtë Akademi…!”

Në vitin 1974 e pushojnë nga puna në emër të Burokracisë dhe e dërgojnë të punojë si punëtore në një Fermë Bujqësore në Tiranë. Me kokën lart ajo punoi aty për rreth 2 vjet dhe më vonë me ndërhyrje, mezi i krijuan një vënd pune si qëndistare në një ndërmarrje punimesh artizanale, fillimisht me kategori te ulët pagese, e gradualisht u shqua për punën shumë cilësore që bëntë. Punoi deri në vitin 1989 kur doli në pension.

Ramadan Sokoli vdiq, pas një sëmundjeje të gjatë, në moshën 87 vjeçare, më 11 mars 2008, në Tiranë.  

(Marrë me shkurtime nga shkrimi i znj. Mirlinda Sokoli – Duma)

 

Bashkëngjitur po rendis disa nga librat e botuar :

1 – Les Dances Populaires et les Instruments musicaux du Peuple Albanais, – Tiranë 1958

2 – Albanieske narodnie aesni – Tiranë 1965

3 – Figura të ndritura (Jan Kukuzeli e Andrea Aleksi) Tiranë 1965

4 – Folklori Muzikor Shqiptar – Morfologjia – Tiranë 1965

5 – Chansons Populaires Albanaises – Tiranë 1966

6 – Metodë për Fyell – Tiranë 1970

7 – Vallet dhe Muzika e të Parëve Tanë – Tiranë 1971

8 – Folklori Muzikor Shqiptar – Organografia Tiranë 1975, 1984, 1987, 1991

9 – Figura e Skendërbeut në muzikë – Tiranë – 1978

10 – Gjurmime Folklorike – Tiranë 1982

11 – Këngë Patriotike – Tiranë 1985

12 – Veglat Muzikore të Popullit Shqiptar – Tiranë 1991

13 – 16 Shekuj Tiranë 1995

14 – Përrallëza dhe Gojëdhëna në Botën Shqiptare – Tiranë 2000

15 – Antifonari I Durrësakut Gjergj Danush Lapacaja – Tiranë 2001

16 – Pjesë Shqiptare për Fidanishten e Pianistëve të Rinj – Tiranë 2001

17 – Përtej 16 Shekujve – Tiranë 2002

18 – 20 Miniatura Pianistike – Tiranë 2002

19 – Krijime dhe Flijime – Tiranë 2003

20 – Këngët Popullore Qytetare Shkodrane Tiranë 2007

 

Login to post comments