Restaurohen ikonat “Hyrja në Jeruzalem” dhe “Profeti Ilia”

Hënë, 18 June 2018 07:56

Laboratori i Restaurimit të Veprave të Artit në qytetin e Beratit vijon punën për nxjerrjen në dritë të thesareve të lëna në harresë. Në këtë laborator restauratorët e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat janë duke punuar mbi dy ikona: Ikona Profeti Ilia me autor Johan Çetirin dhe Hyrja në Jeruzalem me autor Vëllezërit Çetiri. Sipas specialistëve, ikona e profetit Ilia është në gjendje të mirë, vetëm se ka degradim të vernikut, ku duhet të bëhet një ndërhyrje e kujdesshme pa e dëmtuar ikonën. “Ndërhyrjet konservuese dhe restauruese të ikonave do të konsistojnë në konsolidimin e grundit pelikulit dhe panës së drurit. Do të realizohet gjithashtu pastrimi i ikonës dhe dizinfketimi i drurit nga insektet”, shprehen specialistët. DRKK, Berat, vazhdon punën me zbulimin e veprave të tjera nga fondi i ateliesë, ku specialistët e artit janë duke përgatitur projektet e reja restauruese. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Berat, ka si qëllim kryesor nxjerrjen e këtyre veprave të artit nga faza e degradimit duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësinë e një procesi që ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore. Laboratori i Restaurimit të Veprave të Artit në qytetin e Beratit ka restauruar gjithashtu ikonat “Mbledhja e Kryeengjëjve”, me autor Gjergj Johan Çetirin, si dhe ikonën me të njëjtin emër “Mbledhja e Kryeengjëve”, e Kostandin Zografit, “Ngritja e kryqit” dhe “Shën Thanasi”.

Login to post comments