Komedia “Vajzat”, në kinematë e kryeqytetit

Hënë, 18 June 2018 08:00

Në një ditë të bukur pranvere në fshat malor tre shoqe hipin në një makinë për t’u larguar diku ndoshta në Tiranë. Atë makinë buzë rrugës interurbane të fshatit e shohim të ndaluar sikur po pret dikë, ndoshta shoqen e katërt ose ndoshta kohën e përshtatshme për t’u nisur. Shumë ëndrra thurin tre vajzat brenda asaj makine dhe çdo ëndërr nuk i ngjan tjetrës, por një dëshirë është e "madhe" dhe e përbashkët të ikin nga fshati sa më parë qoftë në Tiranë ose akoma më mirë diku jashtë Shqipërisë. E kështu nga njëra ëndërr në tjetrën dita po kalon dhe makina nuk lëviz nga qoshja e saj buzë rrugës. Ndoshta ngaqë nuk erdhi shoqja e katërt a ndoshta nuk ishte dita për të lëvizur. Dielli fillon të bjeri poshtë maleve dhe avionët fluturojnë në qiell ashtu si ëndrrat e vajzave si një muzike sublime, që nuk duhet ndërprerë për asnjë arsye në botë, por ja që u ndërpre. Në xhamin e makinës u afrua djali i vogël, i cili do të luaj brenda makinës. Vajzat dalin nga makina ku pritën gjithë ditën. Po ajo makinë nuk kishte rrota. Ajo makinë qenka e braktisur në atë buzë rruge interurbane të fshatit. Ajo makinë ka vite që nuk punon e nuk shkon gjëkundi. Ajo makinë është një strehëz fshati për shoqet tona, por dhe për fëmijët. Të tria ecin në kthim drejt fshatit, por kjo rrugë duket më rraskapitëse se rruga për Tiranë.Ky është subjekti i filmit më të ri që vjen në kinema. Vajzat” me skenar dhe regji nga Elkjana Gjipali vjen nesër premierë për publikun. Një film i cili ka bërë baskë artistët për këtë projekt kinematografik, një bashkëpunim që vlerësohet prej tyre. Skenariste dhe regjisore Eljkana Gjipali flet për filmin e saj dhe mesazhet që përcjell për shoqërinë tonë. Në mesazhin filmit ajo tregon se ajo çfarë përcillet përmes tij është që secili prej nesh e ka vetë fatin e tij dhe jo të qëndrojë vetëm si spektator. “Film indipendent, që është realizuar me një grup njerëzish shumë të ngushtë. Mesazhi që përcillet përmes filmit “Girls” (Vajzat) në thelb është se të gjithë e kemi vetë fatin tonë në dorë dhe se duhet ta marrim në dorë. Nuk mund të jemi spektatorë siç janë personazhet e parkuar diku në anë të rrugës dhe presin, që jeta e tyre të fillojë kur të ndërrojnë qytet, por duhet të marrin timonin e jetës dhe të nisen”, tregon regjisorja për filmin premierë që nesër në mbrëmje shfaqet në kinemanë Cineplexx Teg. Filmi “Vajzat” tregon historinë e tre shoqeve që planifikojnë që largohen nga fshati dhe të ndërtojnë një jetë të re në Tiranë. Xhirimet janë bërë në Shëngjergj të Tiranës. Në role janë aktoret, Arjeta Dhima, Aurora Qazimi dhe Marsela Lena, e cila punon në Greqi dhe është e angazhuar me filmin “Vajzat”. 

 

Login to post comments