Këngët më të bukura shkodrane zbresin në amfiteatrin veror të Tiranës me interpretimin e këngëtarëve më të njohur të qytetit të Shkodrës. Organizatorët bëjnë me dije se koncerti titulluar “Karajfilat e Shkodrës” do të jetë jo vetëm një mbrëmje muzikore, por për publikun prezantohen dhe kostumet më të bukura popullore të zonës së Shkodrës. Koncerti do të sjellë në skenën e amfiteatrit 30 këngë, që do të interpretohen live nga këngëtarët më të njohur si Bujar Qamili, Myfarete Laze, Bashkim Alibali, Mukades Çanga, Indrit Mlika, etj, por pjesëmarrës është dhe grupi muzikor “Karajfilat e Shkodrës”. Veç këngëve nga zërat më të mirë të këngëve shkodrane, do të ketë edhe pjesë nga orkestra e grupi i valleve të qytetit të Shkodrës. Perlat e muzikës qytetare do jenë pjesë e një nate kryeqytetase. Çdo tingull muzikor do jetë drejtpërdrejtë në skenën e amfiteatrit. Koncerti i bën një sfidë muzikës me CD, muzikave të rrejshme, që kush nuk po bëhet këngëtar, por kjo është një skenë që po bën historinë e këngëtarëve dhe instrumentistëve të vërtetë që interpretojnë LIVE. 30 këngët më të bukura qytetare shkodrane do të këndohen LIVE mbrëmjen e sotme dhe këngëtarët më të njohur shkodrane do jenë në skenë, por nuk do të mungojnë edhe këngëtarët e rinj, të cilët e këndojnë me po aq dashuri dhe pasion këngën qytetare. Sipas organizatorëve është 40 minuta program dhe janë e perlat e këngës dhe muzikës shkodrane, janë këngë popullore qytetare. Më pas do të vijë Elbasani, Korça, Vlora, Mirëdita, etj. Koncerti organizohet nga agjencia “Buna 1” me producent Arben Mazi në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit.