Mjerimi i librit, Ministria e Kulturës shkatërroi rrjetin e bibliotekave

Premte, 24 August 2018 10:13

Alarmi që INSTAT dha këto ditë se 1 milion shqiptarë nuk kanë lexuar asnjë libër duhet të shqetësojë të gjithë faktorët dhe aktorët që merren me librin, veçanërisht Ministinë e Kulturës. Që interesi për librin kryesisht tek të rinjtë ka rënë ndjeshëm vitet e fundit, kjo ka kohë që dihet.  Por edhe pse janë një sërë faktorësh socialë dhe ekonomikë që ndikojnë, si çmimet e larta, papunësia, mungesa e informacionit, etj,  duket se për shkrimtarët ky problem ka vite që është i pranishëm, por pak bëhet dhe nga institucionet. Në reagimin e tyre shkrimtarët shtojnë dhe faktin se bibliotekat sot janë në mjerim për libra. Shumica prej tyre kanë vetëm librat e botuar 30 vjet më parë e tek tuk ndonjë titull, kryesisht të falur nga autorët. Për shkrimtarin dhe botuesin Xhevair Lleshi kjo është një situatë që tregon se libri ka vdekur për institucionet. “Libri ka vdekur. Jemi në një situatë që shtëpitë botuese presin ngushëllime. Kjo është realitet jo metaforë. Ku kemi ne shtet për këtë problem? Libri nuk ekziston më në politikat tona. Me vjen keq që jam autor në një kohë që nuk duhet. Që të ngjallet dëshira e leximit të librit është një rrugë shumë e mundimshme që fillon që kur je i vogël. Qeveria nuk jep buxhet për librin, që të ngrihen biblioteka. Kemi 24 burgje që nuk kanë një bibliotekë”, pohon shkrimtari Lleshi. Në reagimin e tij ai shton se jo vetëm në Tiranë, por dhe në rrethe situata lë për të dëshiruar kur flasim për mjerimin e bibliotekave. “Shqipëria ka 61 bashki dhe vetëm 12 biblioteka publike (që nuk funksionojnë për librat)! Shqipëria ka pasur mbi 20 ministri (tani 15 ministri !) dhe asnjë bibliotekë pranë tyre. Tirana ka pasur 11 biblioteka lagjesh dhe tani nuk funksionon asnjë syresh! Shqipëria ka pasur 11 qytete industrialë që tani janë kthyer në fshatra të rëndomtë se për biblioteka as që bëhet fjalë! Asnjë fshat (për be!) në Shqipëri nuk ka qoftë edhe një sallë leximi! Shqipëria ka vetëm 1 bibliotekë shëtitëse me libra në Lezhë. Çfarë shteti jemi ne?”, vijon shkrimtari dhe botuesi Xhevair Lleshi.

Për një tjetër autor Vasil Premçi prej vitesh ka qenë një periudhë shkatërrimtare për librin. “Kjo nuk ka filluar në një ditë, u bë sot dhe nesër nuk lexohet. Por ka qenë një periudhë shkatërrimtare drejt leximit të librave. Roli i ministres së Kulturës, që del dhe reklamon librat nuk është fare i denjë në raport me të fenomenin e mosleximit të librave. Kjo është sikur të ndezësh një qiri në një errësirë të plotë. Në vend që të stimulojë autorët, konkurset, bibliotekat e lagjeve, orët e mësimit për letërsinë me autorët shqip të shtohen në shkolla, ministrja merret me një rekomandim që nuk i shkon fare. Ajo braktis pozicionin e saj të vet drejtuese në ministri dhe zgjedh të jetë një rekomanduese e librit. Kjo është tragjike”, pohon shkrimtari Vasil Premçi. Nuk është hera e parë që autorët reagojnë për librin dhe mjerimin e bibliotekave, por sipas tyre gjendje vijon të përkeqësohet.  

Sipas të dhënave të INSTAT, të evidentuara në një anketë të posaçme shihet se vitin e kaluar mbi 1 milionë shqiptar nuk kanë arritur të lexojnë asnjë libër. Teksa pjesa tjetër mësohet se ka lexuar shumë pak. Rreth 320 mijë shqiptarë të moshës mbi 25 vjeç raportuan se nuk kanë lexuar më pak se 5 libra vitin e kaluar. Por pjesa e tyre që kanë lexuar më shumë se kaq sa vjen e zvogëlohet. Rreth 102 mijë shqiptarët raportojnë se kanë lexuar 5-10 libra gjatë vitit të kaluar, ndërsa rreth 44 mijë shqiptarë kanë lexuar më shumë se 10 libra gjatë vitit të kaluar.

Login to post comments